I jepet lamtumira Artistit të Popullit, skulptorit Shaban Hadëri
Dje u përcoll për në banesën e fundit skulptori i njohur shqiptar Shaban Hadëri. Ai u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare. Krerët më të lartë të shtetit, por edhe kolegë e miq të Hadërit bënë dje homazhe në GKA për artistin e madh. Duke e vlerësuar skulptorin si një nga korifenjtë e artit dhe skulpturës shqiptare, Kryeministri Berisha tha se me talentin, përkushtimin dhe atdhetarinë e tij, Shaban Hadëri i la vendit dhe kombit një trashëgimi jashtëzakonisht të pasur dhe të çmuar.
Shaban Hadëri ndahet nga jeta si një nga korifenjtë më të mëdhenj të artit dhe skulpturës shqiptare. Me talentin, përkushtimin, atdhetarinë tij, ai i la vendit dhe kombit një trashëgimi jashtëzakonisht të pasur dhe të çmuar. Shqipëria humbet skulptorin e saj të madh, humbet intelektualin e saj të shquar,por edhe një qytetar shembullor. Humbja është e thellë dhe e madhe. Trashëgimia e tij është kontributi dhe kujtimi më i ndritur i këtij kolosi të skulpturës shqiptare. Shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes, miqve të afërmve, por dhe botës së artit dhe botës intelektuale në tërësi, u shpreh kryeministri. Mbas formimit të plotë si skulptor dhe i edukuar në një shkollë realiste të një shteti komunist dhe vazhdimësia e krijimtarisë së tij po në një shtet komunist do ta vendoste Shaban Hadërin në grupin e artistëve realistë, punimet e të cilit paraqesin subjekte të përcaktuara nga politikat kulturore të këtij shteti. Ka ekspozuar në të gjitha ekspozitat lokale dhe kombëtare që nga viti 1958. Punësohet në Institutin e Lartë të Arteve si pedagog në Atelienë e Skulpturës. Hadëri është një nga pedagogët e parë të Institutit të Lartë të Arteve së bashku me skulptoren Kristina Koljaka dhe piktorët Guri Madhi dhe Vilson Kilica. Gjatë periudhave të ndryshme të krijimtarisë së tij, të lidhur me rëndësinë e veçantë kombëtare të veprave monumentale e të realizuara në grup apo individualisht, skulptori Hadëri fitoi kohën e domosdoshme të krijimtarisë së lirë. Krijimtaria e tij ndahet në dy periudha. E para ndërmjet viteve 1950-1990. Në këto vite ai ka një krijimtari të pasur. Ajo filloi me ekspozimin e suksesshëm për kohën, të punimit të diplomës në vitin '58-'59. Ky punim ndiqet nga trajtimi i shumë portreteve, kompozimeve, relieveve dhe monumenteve. Në këtë periudhë ai krijoi "Portret vajze" 1966, "Luftëtari i lirisë 1912", "Sportisti" 1964, "Pas betejës" 1967, "Portret malësoreje" 1985; "Kapedani i Delvinës" 1982; "Isa Boletini" 1978; "Heronjtë e vigut" etj. Për krijimtarinë e tij të gjerë gjatë periudhës krijuese 1950-1990 është nderuar me dy tituj "Skulptor i merituar" dhe "Skulptor i popullit". Gjithashtu ai është nderuar me disa urdhra, dekorata, dhe ka fituar disa çmime gjatë kësaj periudhe. Skulptori Shaban Hadëri ka trajtuar gjininë e grafikës dhe punimet me vaj. Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve Tiranë, ruhen 27 punime të Hadërit.
Last Updated on E Premte, 15 Janar 2010 20:02