Konfindustria: KESH dhe OST e mirëmenaxhuan situatën në Shkodër
Konfindustria përmes një deklarate për shtyp, ka vlerësuar mënyrën e menaxhimit nga ana e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit të situatës së rënduar të përmbytjeve në veri të vendit. Konfindustria i ka kërkuar qeverisë dhe vendimmarrjes politike në përgjithësi që pas tejkalimit të gjendjes së jashtëzakonshme të shkëputet nga veprimet me natyrë populiste dhe të punojë për zhdukjen e shkaqeve thelbësore,
që rënduan në mënyrë të tejskajshme pasojat e përmbytjeve masive me qëllim mos përsëritjen në të ardhmen. Te këto të fundit ajo rendit keqadministrimin dhe mos kontrollin skajor të territorit deri në formën e rënies së plotë të autoritetit shtetëror, shfaqur me lejimin e ndërtimeve të paligjshme, tërësisht jashtë standardeve të qindra e qindra shtëpive në zona qartësisht dhe historikisht të palejueshme për ndërtim. Duhet të pranohet dhe të sqarohet, se është e papranueshme, që taksat e qytetarëve shqiptare të shkojnë për të dëmshpërblyer pronarët e ndërtimeve të paligjshme në zona të rrezikuara, të banimit, bizneseve dhe hoteleve turistike etj, përfshi edhe ndërtimet e kryera me lejet e marra në mënyrë korruptive dhe në kundërshtim të plotë me standardet e lejueshme në fuqi, thuhet në këtë deklaratë. Më tej shtohet se në asnjë mënyrë nuk duhet të ligjërohen nga ALUIZNI ndërtimet në zona të rrezikuara në gjithë territorin e vendit, përfshi edhe zonat detare dhe lumore të përmbytjeve. Sqarimi i plotë i mënyrës së veprimit të institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e digave dhe dhënien e zgjidhjeve ligjore të problemeve të krijuara në bashkëveprimin ndërmjet prodhimit dhe të shpërndarjes të energjisë elektrike të ardhura nga shkëputja e sistemit të përqendruar energjetik të vendit pas privatizimit të OSSH, përfundon deklarata e Konfindustrias.