E Shtunë, 31 Tetor 2026

I kemi pasur rrugët e ndara

Rrugët e LDK’së dhe të AAK’së kanë qenë të ndara. Partneriteti nuk ndërtohet me ekstreme ose huje. AAK’ja ka një rritje të vrullshme, por nuk duhet të merren gjërat me emocione. Nënkryetari i parë i LDK’së, Eqrem Kryeziu, flet për Express.

Express: Lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj, tha se rrugët e AAK’së dhe LDK’së ndahen përfundimisht, pas refuzimit të Presidentit se në këtë vit nuk do të ketë zgjedhje. Cili është komenti juaj për këtë ide?
E. Kryeziu: Me të thanë të drejtën nuk e kam dëgjuar këtë koment të zotni Haradinajt, por ato çka unë kuptova nga reagimi i selisë së AAK’së - kuptova se janë sqaruar pozicionet. Dhe, natyrisht në këtë qartësi të pozicioneve ndoshta ka pas edhe zhgënjime, por në këtë aspekt nuk kisha me thanë se duhet emocionalisht me i marrë gjërat.
Pozicionet janë të qarta. Në qoftë se projekti Haradinaj ka qenë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, sa kuptova unë prej reagimit të tyre se Presidenti nuk ka mundur t’i premtojë se do të ketë zgjedhje të parakohshme në këtë vit. Në fakt, pozicioni ynë në përgjithësi është i tillë. Meqë këto zgjedhjet lokale zgjatën nja gjashtë muaj rend dhe ende nuk mbaruan, atëherë neve nuk na duket fare e arsyeshme që të kemi brenda vitit edhe zgjedhje tjera.

Express: Pra, Haradinaj e qartësoi rrugën e vet në raport me LDK’në?
E. Kryeziu: Tuk që janë subjekte të pavarura, ato rrugë kanë qenë të ndara që moti. Ndoshta dikush ka shpresuar që nuk janë, në fakt, meqë janë parti të pavarura, natyrisht që kanë udhëheqësit, lidershipin dhe vizionin e vet. Kështu që, natyrisht që, rrugët kanë qenë të ndara. Vetëm kur të bashkohen partitë, atëherë rrugët nuk janë të ndara.

Express: A po rrezikon LDK’ja të humb një partner strategjik për të ardhmen siç është AAK’ja?
E. Kryeziu: Jo. Fundi i fundit partneriteti nuk ndërtohet me ekstreme të tilla, si me thanë të hujeve të ndryshme. A është qashtu, a jo? Ne definitivisht nuk kemi mundësi çfarëdo partie që të jemi - nuk kemi mundësi automatike me i realizu programet e të tjerëve. Ka mundësi që ato programe të jenë shumë më të mira, madje edhe më fitimprurëse për Kosovën, mirëpo kemi ne borxh me prezentu programin tonë dhe në atë prezantim, ballafaqim dhe përplasje të dy programeve do të duhej me arrit ndonjë kompromis. Kjo është e tëra.

Express: Megjithatë, LDK’ja në zgjedhjet lokale ka pasur një bashkëpunim strategjik me AAK’në në nivelin lokal...
E. Kryeziu: Natyrisht, ne kemi gjet pika shumë konvergjente me AAK’në për pushtetin lokal. Nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen të bahen edhe zhvillime të tjera, duke mos përjashtuar asnjërën prej partive legale, të paktën mendimi im është ky.
Asnjë parti legale nuk përjashtohet nga bashkëpunimi në të ardhmen, pa përjashtuar këtu as PDK’në, as AAK’në, as LDD’në, etj.

Express: A ju ka mbetur hatri nga fjalët e Haradinajt?
E. Kryeziu: Absolutisht jo. Unë me sa po kuptoj, Aleanca ka një vrull të ekspansionit të vet dhe në këtë vrull natyrisht që ndonjëherë emocionet janë më të theksuara se zakonisht.

Express: Dhe ju ia ndalët vrullin?
E. Kryeziu: Jo, jo absolutisht. Ne nuk jemi kujdestarë që t’ia rregullojmë rrugën dikujt. Absolutisht ajo është autonomi ekskluzive e secilës parti.

Express: A pritni që AAK’ja tash të luajë rolin opozitar edhe ndaj pjesës së LDK’së në Qeveri?
E. Kryeziu: Në qoftë se ndodh kjo, neve nuk na vjen keq. Sepse në fakt kritikat detyrojnë që të përmirësohesh. Në qoftë se je në jetën publike dhe ke kritika, sa ma të ashpra që të jenë, aq më mirë të bëjnë ty. Kjo nuk na pengon sepse kur të jesh publik duhet të jesh shumë i hapur ndaj kritikave.

Express: Cili do të jetë bashkëpunimi me AAK’në në të ardhmen?
E. Kryeziu: Është e vërtetë se tashmë ne kemi një raport shumë të mirë me të gjitha partitë përpos me zotni Behgjet Pacollin, që është parti e re, por që doli jashtëzakonisht premtuese. Për fat të keq nuk po vazhdon me atë trend të premtimeve të mëdha për shpëtimin e Kosovës nga varfëria. Përndryshe me partitë e tjera kemi bashkëpunim shumë të mirë dhe nuk përjashtohet bashkëpunimi. Nuk kemi raporte të çrregulluara me asnjë parti.

Express: E për zgjedhjet e vitit 2011 me kënd do të bashkëpunoni më shumë, me AAK’në apo me PDK’në?
E. Kryeziu: Në qoftë se më pyetni mua dhe unë tash po flas në emër timin. Nuk po flas në emër të partisë. Në qoftë se do të gjendej një strukturë shumë e përgjegjshme e qeverisjes, që e ka në agjende pikë së pari luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, asnjë parti nuk do të përjashtohej në këtë projekt.
Me thanë të drejtën, këtu po vazhdoj të them mendimin tim jo të partisë, korrupsioni është shumë e vërtetë se është shumë i pranishëm në këtë kohë, por është shumë e vërtetë se nuk është veç e kësaj qeverie.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›