E Shtunë, 31 Tetor 2026

I kënaqur me eksperiencën në Tajlandë

Valon Berisha ndihet i kënaqur me përvojën që e pati me përfaqësuesen A të Norvegjisë. Futbollisti kosovar debutoi me Kombëtaren A në një turne të mbajtur në Tajlandë. 18 vjeçari thotë se e dha maksimumin nga vetja. Ai shpreson që i bindi trajnerët me cilësitë e tij dhe pret raste tjera.

Valon Berisha është ndarë i kënaqur me eksperiencën që e pati në Tajlandë me përfaqësuesen A të Norvegjisë, me të cilën debutoi për herë të parë.

Mesfushori ofanziv thotë se do ta mbajë në mend gjatë këtë eksperiencë, edhe pse nuk ia doli të shënonte gol në tri ndeshje sa u paraqit, ndaj Danimarkës, Tajlandës dhe Koresë së Jugut U-23.

“Jam mjaft i lumtur, është një eksperiencë e paharrueshme. Ndiej se jam ngritur dhe se kam demonstruar diçka, andaj shpresoj që mund ta kem rastin e dytë. Natyrisht, do të punoj fort kur të kthehem në shtëpi. Ishte mjaft zbavitëse. Jam i kënaqur me përvojën atje, pata paraqitje të mira”, deklaroi futbollisti i Vikingut.

“Jam munduar të demonstroj se mund të punoj shumë, që mund ta marr iniciativën e topit, të luftoj dhe ta shfaq shpejtësinë time. Ndiej se e kam bërë këtë. Janë muajt e parë të vitit, kështu që nuk jam ende në formën më të mirë”, vazhdoi Berisha.

Ndaj Koresë së Jugut, ai e pati mundësinë që të provohet edhe si sulmues tipik. Ai nuk ndihet si John Carew i ri, por thotë se do ta japë maksimumin gjithmonë, kudo që të urdhërohet të luajë.

Asistent menaxheri i Norvegjisë, Ola By Rise, është ndier i kënaqur me paraqitjet e 18 vjeçarit. “Valoni ka qenë pozitiv në kampin e këtushëm. Ai pati paraqitje të mira, ishte përplot me energji, është një tip i mirë dhe ka qëndrim të duhur”, theksoi Rise.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›