E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’ka përçarje

Kapiteni i Real Madridit, Iker Casillas ka mohuar përçarjet mes futbollistëve spanjollë dhe atyre portugezë. Ai insiston se skuadra është e bashkuar dhe se nuk ka problem me askënd. Në fitoren 4-1 ndaj Athletic Bilbaos të dielën, tifozët vërshëllyen trajnerin Jose Mourinho. Por, portugezi thotë se nuk është as i pari e me siguri as i fundit që përballet me to.

Portieri i Real Madridit, Iker Casillas ka theksuar se nuk ekzistojnë probleme në skuadër mes futbollistëve spanjollë dhe atyre portugezë. Ish presidenti i klubit, Ramon Calderon, deklaroi së fundmi se futbollistët spanjollë në Madrid kanë pasur shumë privilegje, të cilat tani thuhet se u takojnë portugezëve.

Kurse javën e kaluar, e përditshmja sportive spanjolle Marca njoftoi për një konflikt mes trajnerit Jose Mourinho me mbrojtësin Sergio Ramos dhe vetë Casillasin. Mirëpo, kapiteni i gjigantit madrilen mohoi ekzistimin e problemeve në skuadër.

“Nuk kam marrëdhënie të keqe me asnjë bashkëlojtar. Ne punojmë së bashku në çdo seancë stërvitore, tubime para ndeshjeve, në përballje, si çdo ekip tjetër”, tha Casillas për ueb faqen zyrtare të Realit.

“Në ndonjë ditë të caktuar mund të hidhërohem me dikë ose dikush të hidhërohet me mua, por nuk është diçka që duhet të zmadhohet. Nuk ka problem mes spanjollëve dhe portugezëve në ekip. E konsideroj absurde një gjë të tillë sepse ka edhe futbollistë brazilianë në mesin e atyre që janë quajtur si grup portugez”, u shpreh Casillas.

Real Madridi fitoi 4-1 ndaj Athletic Bilbaos të dielën mbrëma, duke rikthyer epërsinë prej pesë pikëve në krye të tabelës ndaj Barcelonës. Por, takimi solli vërshëllimat e para të tifozëve të Realit në drejtim të trajnerit Mourinho, dukshëm në pakënaqësi për humbjen e javës së kaluar 2-1 në shtëpi nga Barcelona në ndeshjen e parë çerekfinale në Copa del Rey.

“Vërshëllimat ndaj Mourinhos janë vërshëllima për të gjithë ne”, tha mbrojtësi Alvaro Arbeloa. Reprezentuesi spanjoll po ashtu komentoi njoftimet për përçarje në ekip, duke thënë se me dëshirë do të shkonte për pushime në Portugali për të bindur se gjithçka është në rregull në skuadër.

Kurse sulmuesi Karim Benzema tha: “Mourinho është trajner i mrekullueshëm, kjo është një çështje e tifozëve. Ne jemi të bashkuar dhe nuk ka asgjë tjetër për të thënë”.

Në deklaratat e tij pas ndeshjes të dielën. Mourinho refuzoi t’i përgjigjet lajmit të publikuar nga Marca, duke ndërprerë dy herë gazetarin duke insistuar se nuk e ka lexuar gazetën.

I pyetur rreth vërshëllimave, ish trajneri i Portos, i Chelseas dhe i Interit theksoi se ishte hera e parë që i ndodh gjatë karrierës së tij, por se “nuk më paraqet problem”.

“Zidane ishte vërshëllyer këtu, Ronaldo, Cristiano, i cili është fituesi i fundit i Këpucës së Artë. Pse të mos vërshëllehem edhe unë? Zidane u përgjigj me lojën e tij njësoj sikurse Ronaldo dhe Cristiano. Unë punoj shumë në mënyrë që të përgjigjem si sonte, por mund të ketë ditë kur tifozët janë të mërzitur. Ka pasur probleme gjatë javës. Kam humbur një ndeshje të mërkurën, por menjëherë mendoja për takimin me Bilbaon. Ne luajtëm dhe fituam. Kjo është e tëra”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›