Nuk presin shumë nga UEFA
Komiteti Ekzekutiv (KE) i Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA) do ta mbajë mbledhjen e radhës sot dhe nesër, ku pritet të diskutojë edhe për kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) për zhvillimin e ndeshjeve miqësore të përfaqësueses së Kosovës.
Për dallim nga herë tjera, drejtuesit e shtëpisë së futbollit kosovar nuk presin shumë nga kjo mbledhje, e cila do të mbahet në Nyon të Zvicrës. Eksperiencat e kaluara, ku u refuzuan vazhdimisht ose u shty kërkesa e tyre, kanë bërë që drejtuesit e futbollit kosovar të mos i besojnë më shumë FIFA-s dhe UEFA-s. Ata besojnë se politika po ndërhyn dhe po ndikon në vendimet e këtyre dy institucioneve.
“Ta them të drejtën, asgjë më nuk pres. Mendoj se dikush po na pengon në mënyrë të organizuar. Kjo është parë edhe tek hendbolli dhe basketbolli. Komuniteti sportiv i Kosovës pret të paktën një sinjal, i cili nuk po arrin assesi. Do të ishte shumë e arsyeshme që të aprovohej kërkesa e jonë, ngase të gjitha faktet janë në anën tonë”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.
Sipas tij, FIFA e UEFA e dinë se Kosova në një të ardhme të afërt do të bëhet pjesë e tyre, por që për momentin nuk dëshirojnë të rrezikojnë, me ç’rast do t’i prishnin punët me kundërshtarët e vendit tonë.
“Varet prej organeve shtetërore, FIFA e UEFA s’po guxojnë të rrezikojnë, ngase ekzistojnë korridoret prapa skene. Nëse na aprovohet kërkesa, do të ishte një hap i madh, një sinjal i mirë dhe parapërgatitje për fazat tjera. Gjithçka do të shkojë hap pas hapi”, vazhdoi ish futbollisti i njohur kosovar.
FIFA dhe UEFA e kanë komplikuar mjaft rastin e Kosovës. Asnjëra nga to nuk e ka marrë guximin që ta pranojë kërkesën e FFK-së që përfaqësuesja e Kosovës të mund të zhvillojë ndeshje miqësore.
FIFA e kishte refuzuar njëherë kërkesën e Fadil Vokrrit me shokë, ndërsa herën e dytë, në fund të vitit që shkoi, e kishte udhëzuar Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s që ta marrë një vendim. Tash topi është tek UEFA. Të gjithë në Kosovë shpresojnë në një përgjigje pozitive...