E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpëtimi, te sigurimi shëndetësor

Futbollistët e futbollit kosovar e konsiderojnë hap të qëlluar vendimin e Federatës së Futbollit të Kosovës që t’i kushtëzojë klubet për t’ua bërë sigurimin shëndetësor lojtarëve. Sipas tyre, ky është një hap drejt profesionalizmit të futbollit në vend dhe mbrojtje për akterët e fushës së blertë.

Vendimi i Federatës së Futbollit të Kosovës për t’i kushtëzuar klubet e futbollit që ta bëjnë sigurimin shëndetësor për futbollistë, i ka gëzuar tej mase këta të fundit.

Ata mendojnë se ky është një hap drejt profesionalizimit të futbollit në vend. Në të kaluarën kemi qenë dëshmitarë të rasteve kur lojtarët janë detyruar t’i kryenin vetë shpenzimet e operimit, pasi që klubet përkatëse nuk ishin të gatshëm ta bënin një gjë të tillë.

Rasti më i freskët ishte ai i Behar Maliqit dhe Suad Saliagiqit, futbollistë të cilët u kushtëzuan që ta vazhdonin kontratën në këmbim të heqjes së shpenzimeve nga klubi i futbollit Prishtina.

Arben Zhjeçi ishte njëri prej lojtarëve që njërin nga dy operimet që ishte pasur në gju ishte detyruar ta kryente vetë. Mbrojtësi i njohur kosovar e përshëndet iniciativën e FFK-së.

“Gjatë karrierës unë kam pasur dy operacione, njërin ma ka kryer klubi, kurse tjetrin është dashur ta kryeja me shpenzime të mia. Ky është një hap kyç dhe vendimtar i Federatës. Nëse duam të shkojmë përpara, ky është hapi i duhur. Pa sigurim shëndetësor nuk duhet ta paramendosh as nënshkrimin e kontratës e as të luash futboll”, deklaroi mbrojtësi i Trepçës.

“E kemi parë rastin e fundit të Prishtinës, ku dy lojtarë u kushtëzuan me vazhdim të kontratës për t’ua kryer klubi shpenzimet e operimit. Kështu nuk ka askund në botë. Unë e kam pasur vetë rastin ta përjetoj një gjë të tillë. Sot gjithfarë njerëzish gjen në futbollin e Kosovës. Futbollistët këtu janë si hamallë, të pambrojtur”, vazhdoi Zhjeçi i cili mendon t’i mbetet besnik Trepçës edhe në pranverë, edhe pse mitrovicasit nuk janë mirë në aspektin financiar në periudhën e fundit.

Arsim Plepolli është një tjetër futbollist që e ka duartrokitur vendimin e FFK-së. Mesfushori me përvojë e di më së miri se si duhet shkuar gjërat drejt profesionalizmit, ngase ka luajtur jashtë vendit për një periudhë.

“Tani po dëgjoj për këtë, jam i befasuar për të mirë. Është një ide mjaft e qëlluar, të cilën duhet ta përkrahim normalisht. Ne na nevojitet një Shoqatë e Lojtarëve, e cila do na mbronte në shumë aspekte, por edhe kjo ide e FFK-së është për çdo lëvdatë. Po shihet se futbolli kosovar po shkon drejt profesionalizmit. Kjo i jep lojtarit vetëbesim, ngase deri tash është dashur t’i kryejnë vetë shpenzimet e operimeve. Në Kosovë deri tash lojtarët janë trajtuar si kamerierë”, tha Plepolli i cili së fundmi luajti për Gjilanin, ndërsa tash ka ofertë edhe nga Trepça, por edhe klube tjera.

Sigurimi shëndetësor për një lojtar kushton 15 euro në muaj, ndërsa për tërë ekipin mund të shkojë deri në 300 euro në muaj. Kjo shumë është mjaft modeste, kur kihet parasysh shëndeti i lojtarëve, që është shumë i rëndësishëm. Ndër të tjera, Federata ka njoftuar se futbollistëve do t’u mundësohet shkëputja e kontratës në rast se klubi nuk ua heq shpenzimet e shërimit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›