E Shtunë, 31 Tetor 2026

I kënaqur me ndihmën e SHBA-së

Republika e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërtuar bashkëpunim shumë të mirë në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore, u tha në takimin ndërmjet ministrit Krasniqi dhe ambasadorit Dell.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ka pritur në një takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Christopher Dell, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në kulturë, rini, sport, por me një theks të veçantë për trashëgiminë kulturore të Kosovës.

Ministri Krasniqi ka shprehur konsideratat më të larta për ndihmën që ka dhënë dhe po jep qeveria amerikane për Kosovën në çdo aspekt, e po ashtu edhe për trashëgiminë kulturore. Në këtë drejtim, ai veçoi donacionin që ka dhënë qeveria amerikane prej 1.5 milionë dollarëve për restaurimin e disa monumenteve të trashëgimisë kulturore në disa komuna të Kosovës. Restaurimi në disa prej tyre tashmë ka filluar, ndërkaq ministri ka shfaqur shpresën se restaurimi i të gjitha monumenteve nga ky projekt, të përfundojë këtë vit. Ministri Krasniqi ka vlerësuar se bashkëpunimi mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës në fushat që mbulon MKRS, është shumë i mirë.

Duke e njoftuar ambasadorin Dell për të arriturat e shënuara në vitin e kaluar në kulturë, trashëgiminë dhe fusha tjera, ministri Krasniqi ka elaboruar edhe disa nga projektet që pritet të realizohen këtë vit. Ai tha se trashëgimia kulturore do të ketë një vëmendje të veçantë, sikur edhe vitin e kaluar.

Nga ana e tij, ambasadori amerikan, Christopher Dell, u shpreh i kënaqur më bashkëpunimin mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-ve në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Ai edhe një herë shfaqi gatishmërinë e qeverisë së tij që të ndihmojë Kosovën edhe në konsolidimin e institucioneve të trashëgimisë kulturore.

Ministri Krasniqi dhe Ambasadori Dell theksuan nevojën për shkëmbime kulturore në mes të dyja vendeve.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›