I lumtur që është gjallë

Fabrice Muamba ka thënë se u ngushëllua me faktin që është gjallë, kur mësoi se nuk do të mund të luajë më futboll. Muamba, 24 vjeç u rrëzua pas sulmit kardiak më 17 mars në ndeshjen që Boltoni e zhvilloi kundër Tottenhamit në çerekfinale të FA Cup.
Mesfushori njoftoi pensionimin e tij nga futbolli në gusht të këtij viti. “Kur mësova se nuk do të mund të luaj sërish nuk kam qarë, isha mirënjohës që jam gjallë”, deklaroi ish mesfushori i Boltonit gjatë një interviste për emisionin BBC Football Focus. Muamba pranoi se ngadalë është duke u pajtuar me ngjarjet e muajve të kaluar.
Ish futbollisti i Arsenalit dhe ekipit U-21 të Anglisë ka theksuar se e ka të vështirë ti përcjell ndeshjet si spektator por insistoi se është optimist për të ardhmen, dhe nuk ka përjashtuar mundësinë e angazhimit si trajner. “Nganjëherë e kam të vështirë të mendoj për atë që ndodhi”, shtoi Muamba.
“Kjo tregon se nuk duhet të jeni të pakujdesshëm por duhet të jeni falënderues për jetën dhe miqtë e ju sepse gjithçka mund të humb për një sekondë. Tani e kam të vështirë ti shikoj ndeshjet. Jam i sigurt se nuk jam i vetmi futbollist që duhet të adaptohet në diçka të re. Kur koha juaj ka skaduar ju duhet ta pranoni këtë dhe të adaptoheni. Sa i përket të ardhmes, ende kam dëshirë të përfshihem në sport në çfarëdo mënyrë, ndoshta pas 15 vitesh”, theksoi ai.
I pyetur rreth mundësisë së fillimit të një karriere si trajner në të ardhmen, Muamba tha: “Të gjithë trajnerët më të mirë kanë një gjë të përbashkët, shumica prej tyre nuk kanë luajtur për një top-skuadër. Tani dua të kaloj kohë me familjen, të mësoj lojën dhe shpresoj të vazhdoj prej këtu. Ana tjetër e futbollit është e rëndësishme të mësohet. Kur është koha e duhur, atëherë do të ulem për të biseduar me njerëzit e drejtë”. Owen Coyle ishte menaxher i Boltonit kur Muamba pësoi sulm kardiak dhe kaloi rreth katër javë në kujdes intensiv, para se të lirohej nga spitali më 16 prill.
Coyle u zëvendësua nga Dougie Freedman dhe Muamba është optimist për shanset e ish skuadrës së tij për rikthim në Premierligë. “Ata nuk e kanë filluar mirë sezonin por kanë skuadër kualitative dhe besoj në promovim në elitë”, përfundoi ai.