E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK: Po keqpërdoret paraja publike

Zyrtarë të degës së LDK-së në Mitrovicë kanë prezantuar të shtunën para gazetarëve, sipas tyre, një sërë parregullsish nga ana e zyrtarëve komunalë të Mitrovicës, duke përfshirë këtu keqmenaxhim të buxhetit, shpenzime të pakontrolluara të parasë publike, kaos të shpërndarjes së mjeteve dhe evidentim të padrejtë nga kategoria në kategori, si dhe mos zbatim të ligjit në përgjithësi.

Sadri Ferati, kryetar i LDK-së në Mitrovicë, ka thënë se Kuvendi komunal i Mitrovicës akoma nuk po arrin të stabilizohet dhe ka të meta të mëdha që kanë dal në sipërfaqe.

Sipas tij, që nga planifikimi i të hyrave për këtë vit, që janë 1 milion e 900 mijë euro, përkatësisht rreth 200 mijë euro më shumë se vitin e kaluar, vetëm gjatë 9 mujorit të këtij viti 100 mijë euro janë më pak.

Ai ka theksuar se gjasat janë reale që këtë vit komuna e Mitrovicës nuk do të mund t’i realizojë të hyrat, dhe fundi i vitit mund të jetë kaotik në komunën e Mitrovicës pikërisht për këtë arsye.

Ferati ka thënë se në vitin 2007 të hyrat vetanake kanë qenë rreth 1 milion e 570 mijë euro, e që në vitin e ardhshëm, 2008 ka rënie të këtyre të hyrave, e kjo tregon për përkushtimin e vogël të komunës në këtë drejtim.

“Ne i bëjmë thirrje edhe njëherë komunës që t’i qaset planifikimeve reale, të tregojë përkushtim dhe që borxhet t’i inkasojë konform ligjeve në fuqi”, ka thënë Ferati, duke shtuar se problemi më i madh është mungesa e planifikimeve të mira.

Ai ka përmendur si shembull një faturë, para disa viteve, të Drejtorisë së shëndetësisë prej 6 mijë euro, kur e njëjta Drejtori s’ka pasur fare të paraparë reprezentacion dhe është dashur t’i marrë mjetet pastaj nga mallra dhe shërbime, duke rrezikuar kështu funksionimin e asaj Drejtorie.

Sipas tij, situata të ngjashme kanë ndodhur edhe në Drejtorinë e arsimit, pastaj të integrimeve evropiane dhe mirëqenies sociale etj.

“Gjasat janë reale që edhe këtë vit komuna e Mitrovicës nuk do të mund t’i paguajë borxhet e shpenzimeve dhe do të hyjë vitin e ardhshëm me borxhe të reja. Kjo pra tregon jo stabilitetin dhe rrezikon funksionimin e komunës, ndërsa problem tepër i madh mbetet fakti se vazhdojnë shpenzimet tejet komode dhe shumë të mëdha që bën komuna e Mitrovicës”, ka theksuar Ferati.

Ai ka ritheksuar se kjo është një administratë tepër e shtrenjtë për rrethanat e mitrovicasve.

Ai vuri në pah se në vitin 2011 janë harxhuar 76 mijë euro vetëm për 22 vetura, dhe nga kjo, siç tha ai, nuk dihet nëse komunarët njëherë shkojnë në Prishtinë dhe kthehen prapë në Mitrovicë për t’ia filluar orarit të punës, sepse kjo shumë konsiderohet si enorme.

“Mendoj se qytetarët nuk e meritojnë një kosto të tillë aq të lartë në dëm të interesit të tyre”, ka thënë, ndër të tjera, Ferati. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›