Opozita: S’do të jemi pjesë e dialogut me Serbinë

Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka thënë se askush nga LDK-ja nuk do të jetë pjesë e delegacionit të Thaçit në takimin e radhës me homologun e tij serb, Ivica Daçiq që pritet të mbahet më 9 të këtij muaji.
“Absolutisht nuk ka asgjë të re në këtë drejtim. Unë nuk e komentoj se çfarë ka thënë në këtë rast zotëri Thaçi. As nuk kemi pasur kurrfarë takimi dhe as nuk ka diçka të re rreth kësaj. LDK-ja e ka atë qëndrim që e ka pasur, parimor, shumë principiel dhe institucional. E di edhe opinioni se ne e kemi përkrahur rezolutën e miratuar kohë më parë, që sipas nesh janë përfshirë pothuajse të gjitha ato që i ka kërkuar LDK-ja. Ne do ta japim kontributin tonë në Kuvendin e Kosovës. Sigurisht se asnjë anëtar i LDK-së nuk do të jetë pjesë e delegacionit të Thaçit. S’ka asnjë arsye me qenë pjesë e delegacionit, kur kryeministri e ka mandatin e Kuvendit në bazë të rezolutës dhe nuk kemi nevojë të jemi pjesë e ekipit kur ai është i autorizuar”, ka thënë Beqiri për Kosovapress.
Kurse nënkryetari i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala, emri i të cilit është lakuar se do të jetë pjesë e delegacionit të Qeverisë në dialogun me Serbinë, të gjitha këto përfolje i ka quajtur si “spekulime”.
“Janë spekulime”, është përgjigjur shkurtimisht Shala përmes telefonit për Kosovapress, përderisa është pyetur rreth zërave që po qarkullojnë në opinion se ai do të jetë përkrah kryeministrit Thaçi në dialogun politikë me Serbinë.
Për lëvizjen Vetëvendosje kjo punë është shumë e qartë, pasi, sipas tyre, pa plotësimin e disa kushteve nga Serbia, as që do të duhej të bisedohej me Serbinë.
Nënkryetari i Vetëvendosjes, njëherësh edhe deputet e nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk kanë pasur kurrfarë kontakti për këtë çështje, por edhe nëse do të kishte ndonjë ftesë të tillë nga Qeveria që kjo lëvizje të jetë pjesë e delegacionit në bisedime, Konjufca thotë se nuk do ta pranonte.
“Ne nuk kemi pasur kurrfarë kontakti lidhur me këtë çështje, mirëpo, dihet fort mirë se qëndrimi i lëvizjes Vetëvendosje është shumë i qartë, nuk do të ketë negociata me Serbinë vetëm sa për negociata me një Serbi të tillë siç është tani, me këtë pushtet dhe me një Serbi e cila nuk ka ndryshuar qëndrimet e saj për Kosovën që prej kohës së Millosheviqit. Të bisedosh me një Serbi të tillë është kundër sovranitetit të Kosovës dhe kundër interesave shtetërore të vendit tonë. Prandaj ne mendojmë se që të normalizohen marrëdhëniet me Serbinë janë të domosdoshme disa parakushte që Serbia duhet t’i përmbush e të cilat duhet t’ia vendos Kosova bashkë me bashkësinë ndërkombëtare. Çfarëdo përpjekje e qeverisë që ta bashkojë spektrin e gjerë politik në Kosovë për të shkuar dhe për të bërë koncesione me Serbinë është i papranuar për Vetëvendosjen”, ka thënë Konjufca për Kosovapress.
Ai ka thënë se edhe nëse Vetëvendosjes do t’i vinte një ftesë e tillë nga Qeveria ajo nuk do ta pranonte, por do ta pranonin vetëm ndonjë ftesë për t’i përpiluar kushtet që do t’ia paraqisnin Serbisë për t’i plotësuar që të jetë e denjë për negociata me Kosovën.
Për më tepër, takimi i radhës për bisedime në mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve, pritet të mbahet më 9 nëntor të këtij viti, i cili do të jetë në nivel kryeministrash në mes atij të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq. /kosovapress/