E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sezon i ri, avaz i vjetër

Futbolli kosovar nuk do të ketë ngritje të cilësisë në sezonin e ri, që filloi në mesjavë, për dallim nga edicionet e kaluara. Kështu mendojnë njohësit e futbollit në vend, të cilët nuk shohin ndonjë avancim në këtë aspekt. Kualiteti i njëjtë dhe futbollistët e njëjtë i ka shtyrë ata të insistojnë se sezoni i ri do të ketë pamje të njëjtë me vitet e kaluara.

Njohësit e futbollit kosovar nuk presin ndonjë ngritje të cilësisë në sezonin e ri të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll, i cili filloi në mesjavë. Sipas tyre, edhe ky edicion do ta shohë futbollin në vend në një nivel me vitet e kaluara, mos më keq.

Trajneri Afrim Tovërlani mendon se largimi i disa futbollistëve kosovarë drejt futbollit shqiptar mund të ndikojë që elita e futbollit kosovar të ketë rënie për dallim nga vitet e kaluara.

“Dyshoj që ky sezon do të jetë më cilësor. Edhe ashtu, 5-6 futbollistë mjaft të mirë kanë shkuar në Shqipëri, prandaj ky mund të jetë dobësim për dallim nga sezonet e kaluara”, theksoi për Express ish trajneri i Prishtinës, i Trepçës ’89 dhe i Hysit.

Edhe veterani i kësaj zejeje, Ajet Shosholli është i mendimit se as këtë sezon nuk do të ketë lëvizje sa i përket përmirësimit të cilësisë në futbollin kosovar. “Nuk mendoj se do të jetë më cilësor dhe se do të jetë më interesant. Ngase kualiteti i futbollistëve është i njëjtë me vitet e kaluara. Nuk ka lëvizur asgjë, do të luajnë të njëjtët futbollistë, prandaj nuk ka se si të ngrihet cilësia në këtë mënyrë”, u shpreh ish trajneri i Prishtinës, i Trepçës ’89 dhe i Vëllaznimit.

Për dallim nga të lartpërmendurit, trajneri Gani Sejdiu është i mendimit se sezoni i ri mund të jetë më cilësor për dallim nga ata të kaluarit. Përforcimet e ekipeve, organizimi i tyre dhe nivelizim i ligës, sipas tij, do ta bëjnë më interesant dhe më të mirë për sy edicionin e ri.

“Në bazë të asaj çka kam parë, përshtypja ime e parë është se ky sezon duhet të jetë më cilësor. Është një ligë shumë e balancuar, të gjitha ekipet janë më të forta, e shoh një kampionat të ekuilibruar. Mendoj se do të jetë më interesant nga vitet e kaluara, ngase 80-90 për qind e ndeshjeve do të jenë një lloj derbi. Ky mendoj se do të jetë një ndër sezonet më cilësore. Por, varet prej shumë faktorëve, prej përgatitjes së ekipeve etj”, theksoi ish trajneri i Trepçës, i Trepçës ’89 dhe i Kosovës së Vushtrrisë.

Cilësia në futbollin e pasluftës nuk ka lëvizur kushedi sa edhe pas 13 vjetësh. Izolimi, infrastruktura katastrofale dhe vështirësitë ekonomike të klubeve kanë bërë që futbolli kosovar të mbetet në pikë të njëjtë, madje me raste duke pësuar edhe rënie të cilësisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›