I mbajnë fshehtë konkluzionet e Cooperit

Serbia do t’i zbatojë marrëveshjet që i ka arritur me Kosovën në Bruksel, pasi ta miratojë dokumentin në Qeveri.
Kështu ka thënë Sekretari Shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanovic, i cili thekson se aktualisht autoritetet serbe janë duke i mbajtur sekrete konkluzionet e ndërmjetësit Robert Cooper.
“Së pari nuk është fortë e qartë se çka përmban marrëveshja. Mirëpo, pasi të sqarohet, unë jam mjaft i sigurt që ajo marrëveshje që pranohet në Qeveri të Serbisë s’ka qare pa u zbatu nga çdo qytetar. Zbatimi i konkluzioneve sekrete nuk është i mundshëm pa marrë parasysh qysh kanë shkuar negociatat. Para zbatimit ajo duhet të bëhet publike”, ka thënë Oliver Ivanovic të dielën për Express.
Ivanovic ka komentuar edhe rreth faktit që në opinionin serb marrëveshjeve të arritura u është dhënë pak publicitet. Ato nuk janë publikuar në asnjë medium në Beograd.
“Ndodh që njerëzit nuk janë fort dakord me këto negociata, mirëpo liderët edhe Qeveria e ka për detyrë që ta bëjë atë që është e nevojshme sepse për këtë ata janë të zgjedhur, por popullata këtë nganjëherë nuk e kupton . Jam i kufizuar, por kjo mund të jetë në pyetje”, ka thënë Ivanovic.
Marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë janë komentuar në mënyra të ndryshme në Prishtinë. Qeveria e Kosovës i sheh ato të favorshme e madje edhe si një hap drejt njohjes së pavarësisë nga shteti serb,derisa opozita dhe analistë të ndryshëm kanë vlerësuar se me këto marrëveshje Kosova ka humbur elemente të shtetësisë.
Në Serbi marrëveshjet nga opozita janë cilësuar madje edhe si tradhti ndaj interesit kombëtar serb, përderisa vetë negociatori serb Borislav Stefanovic ka thënë se është Serbia ajo që ka përfituar nga procesi i dialogut.
Ivanovic thotë se me këto marrëveshje kanë përfituar të dyja palët.
“Dy palët kanë fituar sepse është e qartë se Serbia nuk mundet të qetësohet pa e pasur një lloj marrëveshjeje, një lloj lidhjeje komunikim me shqiptarët e Kosovës. Ne e kemi bërë këtë gabim 25-30 vjet më përpara, duke menduar se nuk ka nevojë me pas komunikim dhe tash po i vendosim vijat e komunikimit, ky është qëllimi dhe suksesi i parë. Në Bruksel janë bërë disa zgjidhje dhe nuk do ta kisha shikuar se kush ka fituar më shumë ose më pak”, ka thënë Ivanovic.
Çështja e zbatimit të marrëveshjeve për lirinë e lëvizjes, diplomave dhe regjistrave civilë duket të jetë sfida e radhës në procesin e dialogut Prishtinë–Beograd.
Analisti serb Dusan Janjic, në një intervistë për Radion Europa e Lirë, ka deklaruar se në parim të gjitha palët duhet të përfshihen në çështjen e zbatimit të marrëveshjeve.
“Garantues janë parimisht të gjitha palët, përfshirë EULEX-in dhe të tjerë, por në fakt nuk ekziston ndonjë garantues i vërtetë. Po ju jap një shembull: Serbia do të mund të premtojë që të dërgojë kopjet e kadastrës deri në nëntor, por nuk shoh ndonjë mundësi se si Serbia do të mund ta bënte këtë, meqë i duhet mbështetje teknike e financiare për t’i bërë kopjet e mijëra letrave, gjë që merr kohë dhe para”, ka thënë Janjic.
“Në këtë rast, garantuese duhet të jetë Qeveria e Serbisë, por nëse nuk bëhet presion dhe një monitorim nga Brukseli, kjo nuk do të funksionojë. EULEX-i nuk mund të veprojë në Serbi, andaj po insistoj që përgjegjësinë ta ketë Komisioni Europian dhe Zyra e Catherine Ashton, ajo duhet të marrë përgjegjësinë për procesin”, ka shtuar ai.
Janjic ka parashikuar mundësinë e ndërprerjes së dialogut në vjeshtë.
“Tani përballemi me një problem, nuk ka kohë, andaj mendoj se do të ketë një apo dy takime në korrik, pas kësaj do të jetë periudha e pushimeve, pas kësaj do të nisë fushata parazgjedhore në Serbi. Kam frikën se do të ndërpritet procesi”, ka thënë ai.