E Shtunë, 31 Tetor 2026

I ndajnë për veti

AKR-ja e Behgjet Pacollit dhe Partia e Drejtësisë e Ferid Aganit i kanë ndarë mes veti paratë nga buxheti për partitë parlamentare. Por, asnjë cent nuk e kanë marrë partnerët tjerë të Koalicionit Kosova e Re. Myzejene Selmani thotë se PSD e Agim Çekut nuk ka më deputetë, kurse E-15 e Muhamet Mustafës nuk është parti politike. Nga Faton Ismajli më 26 shtator 2011 në ora 11:14

Shembulli i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lëvizjes për Bashkim nuk është përsëritur edhe te partitë e Koalicionit për Kosovë të Re.

Përderisa LB’ja e Avni Klinakut dhe Vetëvendosje e Albin Kurtit nuk kanë bërë koalicion parazgjedhor para se të regjistrohen në KQZ, një gjë të tillë e ka bërë KKR’ja, ku bëjnë pjesë disa parti politike.

Kjo ia ka mundësuar partisë së Ferid Aganit të përfitojë mjetet që u jepen partive politike nga buxheti i Kosovës në bazë të fuqisë parlamentare.

Por, partia kryesore e koalicionit, AKR’ja e Behgjet Pacollit nuk u ka ndarë mjete edhe partive tjera që kanë qenë pjesë të koalicionit e që nuk kanë fituar vende në Kuvendin e Kosovës. Madje mjete s`ka marrë as PSD’ja e Agim Çekut, i cili ka fituar postin e deputetit dhe e ka lënë pasi është bërë Ministër.

Anëtari i Kryesisë së Partisë së Drejtësisë, Fahredin Majkovci e ka konfirmuar se paratë e ndara nga buxheti i Kosovës në bazë të numrit të deputetëve tashmë janë në xhirollogarinë e PD’së.

“Ne i kemi marrë paratë e Koalicionit që na takojnë për tre deputetë sa i takon Partisë së Drejtësisë. Jam i informuar se PD i ka marrë mjetet për aq sa i takojnë për tre deputetë”, ka thënë Majkovci për Express, të dielën.

Ai ka mohuar se AKR’ja ka hezituar t`ua ndajë mjetet që u takojnë për kokë deputeti dhe nuk ka treguar sa euro i ka marrë Partia e Drejtësisë.

Edhe Myzejene Selmani, shefe e Grupit të Deputetëve të KKR’së, ka deklaruar se u janë ndarë mjetet partive në koalicion sipas numrit të deputetëve që kanë fituar në Kuvend.
Por, ka thënë se për partitë tjera që nuk kanë deputetë, duke përfshirë edhe PSD’në e Agim Cekut PSD’në, nuk u janë ndarë mjetet.

Sekretarja për Financa në AKR, Rejhane Vuniqi ka thënë se në bazë të marrëveshjes ndërmjet partive në koalicion, mjetet që u ndahen partive parlamentare i janë ndarë vetëm PD’së së Aganit.

“Partisë së Drejtësisë iu kanë ndarë mjetet ashtu siç ka qenë marrëveshje dhe ashtu siç u takon për tre deputetë. Mirëpo, për PSD’në ka qenë vetëm një deputet, Agim Ceku, i cili është bërë Ministër. Nga kjo parti tash nuk ka asnjë deputet”, ka thënë Vuniqi.

Gazeta ka provuar të kontaktojë me Kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Agim Çekun dhe Shefin e Grupit E15, Muhamet Mustafa, por ka qenë e pamundur.

Por, zyrtarja e AKR’së, Rejhane Vuniqi tregon pse nuk janë ndarë mjete edhe për deputetin e E-15.

“Muhamet Mustafa nuk ka qenë marrëveshje dhe nuk ka qenë parti – E15 kanë qenë vetëm një grup ekspertësh”, ka shpjeguar Vuniqi.

Ditë më parë dy deputetë të Lëvizjes për Bashkim u larguan nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes me arsyetimin se mjetet që u janë ndarë nga buxheti i Kosovës në bazë të numrit të deputetëve nuk i janë dhënë edhe partisë së tyre.

Partive politike për këtë vit u janë ndarë 2.5 milionë euro nga buxheti i Kosovës, derisa mjetet u ndahen në bazë të fuqisë që kanë në Parlament.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›