E Diel, 1 Nëntor 2026

I nderuar zoti Kryetar i Konferencës, Të nderuar zonja dhe zotërinj, Kam kënaqësinë e veçantë që në emër të Qeverisë Shqiptare dhe timin personal t'ju sjell juve përshëndetjet

I nderuar zoti Kryetar i Konferencës,

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë e veçantë që në emër të Qeverisë Shqiptare dhe timin personal t'ju sjell juve përshëndetjet më të mira, duke ju uruar njëkohësisht mirëseardhjen në Shqipëri si dhe sukses të plotë në zhvillimin e këtij takimi të rëndësishëm.

Takimi i kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Evropës Juglindore bëhet këtë radhë në Tiranë, si një nga aktivitetet më të rëndësishëm të vitit dhe në përfundim të kryesisë së radhës së proçesit të Kooperimit të Evropës Juglindore, kryesi të cilën po e mbyll pas një viti vendi ynë. Rëndësia e kësaj konference rritet po të kemi parasysh se duke përfaqësuar vullnetet e votuara demokratikisht të vendeve të rajonit, ju, jo vetëm që jeni përcjellësit më të mirë të këtij vullneti, por njëherësh jeni edhe garant për jetëgjatësinë e nismave të këtij lloji.

Shpreh bindjen se me pjesëmarrjen tuaj dimensioni parlamentar do të rritet akoma më shumë në të ardhmen, duke shpresuar në të njëjtën kohë se institucionalizimi i takimeve parlamentare do t'i japë një impuls të ri zhvillimit të mëtejshëm të këtij proçesi. Qeveria Shqiptare i kushton një rëndësi të posaçme bashkëpunimit rajonal; si në kuadrin e marrëdhënieve dypalëshe, ashtu dhe ato shumëpalëshe, duke i vlerësuar si një kusht themelor për integrimin e vendeve tona në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Ky bashkëpunim vështruar në këtë kuadër mbetet prioritet edhe për qeverinë e sapokrijuar, të cilën unë e kryesoj.

Shpreh kënaqësinë se gjatë vitit që Shqipëria ka patur kryesinë e radhës së SEECP-it, ajo ka gjetur mbështjetjen e vendeve të tjera pjesëmarrëse të rajonit për realizimin e objektivave të SEECP-it për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe të forcimit të paqes dhe të stabilitetit në rajon. Ne dëshirojmë të ndajmë me ju edhe në të ardhmen angazhimet dhe veprimet tona konkrete për ato se ç'mund të bëjmë nëpërmjet SEECP-it, për mjetet dhe rrugët e realizimit të synimeve tona të përbashkëta. Rajoni në të cilin jetojmë ka ende plagë të së kaluarës për t'i shëruar. Ne kemi bindjen se me përpjekjet tona të përbashkëta ne mund ta bëjmë këtë. Në fund të fundit ne të gjithë jemi të interesuar dhe të angazhuar tërësisht për sigurimin e stabilitetit dhe paqes duke rritur njëherësh dimensionin bashkëkohor të respektimit të të drejtave të njeriut. Le të bashkojmë përpjekjet për ta bërë gjithnjë e më të prekshëm angazhimin tonë. Angazhimi ynë, e përsëris, mbetet që nëpërmjet proçesit të çojmë më përpara dhe të forcojmë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis vendeve të Evropës Juglindore, me qëllim që të tranformojmë rajonin në një zonë paqeje, sigurie, stabiliteti dhe bashkëpunimi. Ky bashkëpunim presupozon të përfshijë sigurimin dhe stabilitetin, zhvillimin e ekonomonisë dhe bashkëpunimin ambiental, nxitjen e bashkëpunimit humanitar, social dhe kulturor si dhe në bashkëpunimin me fushat e drejtësisë dhe luftës kundër krimit të organizuar, eleminimi i terrorizmit dhe i trafikut ilegal të drogës, armëve apo qenieve njerëzore.

Ne e vlerësojmë lart kontributin e jashtëzakonshëm të komunitetit ndërkombëtar, OKB, BE, NATO-s, OSBE-s, etj në kurorëzimin me sukses të përpjekjeve tona për të kapërcyar situatat dhe sfidat tepër të vështira me të cilat jemi përballuar. Dhe rezultatet e ketij kontributi jane te ndjeshem ne rajonin tone. Frytet e tij aktualisht po I ndjejme ne Kosove, zhvillimet ne te cilen morren permasa te rendesishme keto kohet e fundit. Dje u peruruan zyrtarisht ne Kosove edhe institucioni I Presidentit dhe I Kryeministrit, se bashku me kabinetin qeveritar. Qeveria e Republikes se Shqiperise, gjen rastin edhe nje here te pershendese aprovimin nga Kuvendi I Kosoves, te Presidentit te Kosoves, te Kryeministrit dhe kabinetit qeveritar, si nje akt sublim shtetformues dhe me nje rendesi te vecante historike.

Këto vite procesi i kooperimit të Evropës Juglindore ka bërë hapa të rëndësishme përpara, duke shërbyer si një forum qendror për kooperimin rajonal në Evropën Juglindore. Kjo nuk është vitale vetëm për sigurimin e stabilitetit rajonal dhe zhvillimit si politik, ashtu edhe ekonomik, por ai është gjithashtu një element i kërkesës së qartë për asocimin sa më të shpejtë me Bashkimin Evropian. Rruga për në Evropën e madhe për ne, vendet e Evropës Lindore duhet të kalojë jo vetëm nëpëmjet marrëdhënieve të ngushta me Brukselin, por gjithashtu nëpërmjet marrëdhënieve të thella midis vet nesh. Modelet e marrëdhënieve ndërmjet vendeve antare të Bashkimit Europian duhet të na paraprijnë në marrëdhëniet mes nesh.

Gjatë këtij viti të kryesimit të SEECP, Shqipëria ka bërë përpjekje që angazhimet e saj ndaj bashkëpunimit rajonal t'i konkretizojë në fusha specifike dhe të prekshme të shqetësimeve prioritare. Siç përmenda më parë, gjatë kryesisë sonë, ne jemi përpjekur të ngremë rrjetin rajonal energjetik si dhe të koordinojmë luftën tonë të përbashkët kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe trafikut të paligjshëm. Mbledhjet e ministrave përkatës konfirmojnë vlerat që janë arritur në hedhjen e bazave për ta çuar këtë proces më përpara. Me këtë rast, urojmë që takimet ministeriale në këto fusha të vazhdojnë rregullisht në të ardhmen dhe të pasohen nga bashkëpunimi i frytshëm dhe efektiv, gjithnjë e më larg retorikave boshe, edhe në fusha të tjera.

Kemi bindjen se forcimi dhe përafrimi i legjislacionit të vendeve tona në luftën kundër krimit të organizuar do t'i hapë rrugën, aksioneve konkrete të përbashkëta.

Inkurajimi i shoqërisë civile të vendeve tona, i shkëmbimeve të shumëllojshme kulturore, sportive, organizimi i aktiviteteve të përbashkëta të fëmijëve, të rinjve e grave, do të kontribuonte së tepërmi për forcimin e miqësisë së popujve tanë dhe në eliminimin e çdo pengese për bashkëjetesën ndëretnike.

Gadishmëria e plotë nga vendet anëtare të SEECP-it për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal, sikundër edhe evidentohet nga masat e ndërmarra në zonat kyçe dhe theksi ynë për një intesifikm të marrëdhënieve tona me BE-në janë të gjitha mesazhe konkrete që qeveritë e SEECP-it duhet të përçojmë në këtë konferencë.

Qëndrimi parimor mbi konceptin e partneritetit të Paktit të Stabilitetit – SEECP ka nxitur qeveritë tona për transformimin e përpjekjeve të tyre indivuale dhe praktike në një mekanizëm veprues të përbashkët. Masat tona të përbashkëta, koordinimi i përpjekjeve tona në fusha të ndryshme dhe projektet tona dypalëshe dhe shumëpalëshe janë të gjitha prova të një natyre konkrete që ne ia kemi atashuar partneritetit midis dy proçeseve dhe me dëshirën për të marrë përgjegjësitë në ndarjen e detyrave tona në rrugën drejt integrimit.

Nuk është kjo mënyrë për të treguar rrugën drejt marrjes si detyrë të SEECP-it të ndonjë lloj roli integruesi rajonal në përgjithësi, se sa për të rritur aftësinë e saj në nxitjen të një partneriteti konkret brenda Evropës Juglindore për çështjet me interes të përbashkët. Si rrjedhojë, SEECP duhet të jetë lokomotiva për zgjerimin e dialogut politik brenda rajonit si dhe me institucionet dhe strukturat e tjera të interesuara, veçanërisht me BE-në. Ajo duhet ta pozicionojë veten në rolin një intelokutori më coherent, pozitivisht agresiv dhe autoritar me BE-në për çështje në interes të Evropës Juglindore.

Si konkluzion, unë dëshiroj të nënvizoj bindjen time në rëndësinë universale që ka komunikimi dhe bashkëpunimi si një mënyrë për të kuptuar të tjerët dhe për t'u kuptuar nga ata në të gjitha përpjekjet, veçanërisht në ato mes partnerësh, gjë që mbetet një premisë e domosdoshme në suksesin e proçesit të integrimit euroatlantik, aspiratën tonë të përbashkët.

Ju faleminderit

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›