Erdha këtu jo për të bërë "ritin" e zbritjes së shefit të Qeverisë në bazë, as për të prerë shirita. Jam këtu që të bashkëbisedoj me ju e të shohim së bashku problemet reale qÃ
Erdha këtu jo për të bërë "ritin" e zbritjes së shefit të Qeverisë në bazë, as për të prerë shirita. Jam këtu që të bashkëbisedoj me ju e të shohim së bashku problemet reale që përballon kjo zonë, me synimin që, duke njohur nga afër gjëndjen, të koordinojmë më mirë përpjekjet tona me ato të Pushtetit Vendor, të lehtësojmë e të shpejtojmë sa më shume kapërcimin e tyre.
Karakteristikë e qeverisjes vendore jo vetëm në qarkun e Lezhës por edhe në atë të Shkodrës, Kuksit apo Dibrës, etj është përbërja thellësisht pluraliste e organeve të zgjedhura të këtij pushteti. Ky është një tipar normal i një demokracie dhe duhet të përbëjë një faktor për nxitje të mirëqeverisjes, transparencës dhe efektivitetit. Më vjen sigurisht mirë që dëgjoj se marrdhëniet brenda organeve të zgjedhura pluraliste, ose ato midis këshillit të qarkut dhe Prefekturës janë karakterizuar në përgjithësi nga normaliteti dhe mirëkuptimi. Por të gjithë e dijmë se ne disa raste vazhdojnë ende të shfaqen probleme të komunikimit e të njëanshmërive partiake, çka dëmton vendimmarrjen dhe pengon mobilizimin e resurseve të zhvillimit.
Do t'ju bëja pra thirrje, që të shmangim karshillëkun politik në të gjitha nivelet qeverisëse. Të gjithë duhet të kuptojmë se pavarësisht partive qe përfaqsojmë, PS apo PD apo kujtdo tjetër, ne jemi ulur në këto karrike për t'i shërbyer njerëzve dhe vetëm për këtë. Para se të demonstrojmë përkatësinë e "besnikërinë ndaj partisë" të demonstrojmë "besnikërinë" ndaj popullit e t'i gjendemi atij krah në zgjidhjen e problemeve.
Nuk po ndalem posaçërisht në në vëmëndjen që tregon dhe mbështetjen që i jep qeveria qëndrore qarkut të Lezhës. Konsolidimi dhe rritja e vazhdueshme e treguesve makroekonomikë dhe atyre socialë, forcimi i rendit apo përmirësimi i infrastrukturës, janë tashmë një realitet që preket nga të gjithë. Mjafton të kujtoj se investimet për vitin 2001 për këtë qark janë tre herë më të larta se sa një vit më parë , duke ndërhyrë në rehabilitimin apo ndërtimin e mbi 150 objekteve si rrugë, ujësjellsa, shkolla e qëndra shëndetsore, nënstacioni elektrik, etj. Këtë nivel do të përpiqemi ta ruajmë edhe për vitin 2002 duke u përqëndruar me prioritet në projektet e nisura. Mjafton të përmend investimet e mëdha që po e shndrrojnë Lezhën realisht në një nyje të nërdësishme konomike si superstrada Tiranë-Lezhë-Shkodër me urat moderne mbi Mat e Drin, rehabilitimi i infrastrukturës energjetike, Projekti i interkoneksionit energjetik Elbasan Podgoricë, Projekti për rehabilitimin e Portit të Shëngjinit, etj.
Ajo që unë dua të nënvizoj është se duhet të ngulisim njëherë e mirë bindjen se gjallërimi ekonomik, punësimi e mirëqënia nuk mund të vijë vetëm nga buxheti i shtetit, as kryesisht nga buxheti i shtetit. Sado të larta të jenë përqindjet e alokimeve tona buxhetore për këtë rreth, ne realitetin e ri të ekonomisë së tregut, ne nuk do të mund të ecim shumë larg në se nuk kuptojmë se rolin vendimtar duhet ta luajë gjallërimi i biznesit dhe nisma private, angazhimi i komunitetit dhe bashkëveprimi i të gjithë faktorëve "nga poshtë".
Pa biznes të shëndoshë në rritje, nuk do të ketë ekonomi të shëndoshë e as nivel të kënaqshëm jetese. Kjo nuk duhet të mbetet një deklaratë retorike. Ajo duhet të shoqërohet me masa konkrete për të krijuar klimën e shëndoshë probiznes e proinvestime. Lezha apo Shkodra, Dibra apo Kuksi dhe rrethet e tjera të Veriut kanë një traditë të hershme ekonomie private dhe shpirt biznesi. Ato duhen rigjallëruar dhe inkurajuar nëpërmjet politikave e qëndrimeve konkrete, gjë që nuk duhet të përkthehet vetëm në "dhënie kredish" apo ulje tarifash doganore, por edhe në respekt për biznesin, komunikim partneriteti me të, tërheqje e tij në vendimmarrjet e rëndësishme për zhvillimin e zonës, transparencë e plotë në projektet publik-privat, etj.
Nga ana tjetër të gjithë duhet të mësohen me faktin se administratat publike, qofshin ato lokale apo qëndrore, mbahen me taksa, të cilat janë një detyrim ligjor i paevitueshëm për të gjithë. Një tjetër aspekt për të cilin dua të tërheq vëmëndjen është zbatimi i ligjit në zhvillimin urbanistik dhe atë të vlerave turistike e mjedisore.
Është e palejueshme që ndërsa ne mendojmë e planifikojmë financime për modernizimin e Portit të Shëngjinit apo rehabilitimin e Plazhit të Shëngjinit, t'i "përmbysim" këto vlera nga vala e 156 ndërtimeve të jashtëligjshme nga të cilat 54 pikërisht në zonën turistike. Duhen vënë para përgjegjësisë jo vetëm ata që ndërtojnë por edhe ata që lejojnë që dhunimi ndërtimor të prekë madje edhe zona aq të ndjeshme nga pikpamja mjedisore si ato pranë rezervuarët të Kune Vainit dhe Merxhanit. Është shumë pak që nga mbi 900 ndërtime pa leje të evidentuara gjithësej në këtë qark, janë prishur vetëm 100.
Vetë organet lokale të qeverisjes duhet të marrin më shumë përgjegjësi veçanërisht për të nxitur zhvillimin ekonomik të komunës, bashkisë apo qarkut. Decentralizimi nuk është as vetëm një ligj i shkruar, as vetëm një deklaratë programore. Ai është një proces real që në rradhë të parë nënkupton më shumë përgjegjësi për njohjen dhe vënien në lëvizje të burimeve që çojnë në zhvillimin e zonës përkatëse.
Buxheti 2002 shënon nje hap vendimtar per transferimin ligjor te gjithe kompetencave dhe fondeve perkatese tek pushteti lokal. Perjashto ujin e pijshem, per vete problematiken qe e shoqeron, te gjitha fondet per funksionet e tjera qe njeh ligji mbi pushtetin vendor i transferohen atij.
Pra ato qe quheshin "fonde te kushtezuara" tani do t'i kalojne Pushtetit Vendor si grant i pakushtezuar, perfshi edhe nje pjese te investimeve per sherbime publike.
-Por edhe grantet e pakushtëzuar tash e tutje shpërndahen sipas një formule e cila mban parasysh disa kritere social-ekonomike.
Nga ana tjetër edhe për ne si qeveri qëndrore, nuk mjafton që treguesit ekonomikë t'i ndjekim dhe raportojmë në mënyrë globale, nga qendra, por edhe në nivel rajonal. Nuk mjafton të dijmë sa u rrit prodhim, investimet, biznesi, të ardhurat e shpenzimet në nivel kombëtar, por edhe sa u rriten në Lezhe, në Laç, në Rrëshen e kudo. Natyrisht kjo ndjekje bëhet në nivel prefekture e pushteti lokal, por mendoj se treguesit rajonalë duhet të respektohen e të ndiqen më me përgjegjësi edhe nga administrata qëndrore.
Qeveria qëndrore do të ndalet më shumë e më konkretisht në hartimin e politikave rajonale të zhvillimit. Kjo do të jetë edhe një nga detyrat themelore të Ministrisë se re të Ekonomisë. Mbështetur, dhe në harmoni me Programin e ri 3-vjeçar të Zhvillimit Ekonomik e Social (PRGS), kjo ministri duhet të angazhohet në evidentimin e nivelit të zhvillimit dhe problemeve për çdo rajon të vendit, duke rekomanduar mbështetje të posaçme jo thjesht për sektorët socialë (arësimi, shëndetësia, çështjet sociale e infrastruktura, -të cilat PRGS-ja i mban parasysh, por edhe për zonat e rajonet më të varfëra të vëndit, për t'i nxjerrë ato nga varfëria, e për t'i dhënë kuptim punës e jetës edhe në këto zona, e për të evituar motivin e zbrazjes e braktikjes nganjëherë edhe të fshatrave të tëra.
Qeveria shqiptare do të vazhdojë të jetë e pranishme me kontributin e saj, me buxhetn e saj në zonën veriore dhe veri-lindore të Shqipërisë. Në këtë kuadër ne duhet të bashkëpunojmë ngushtë edhe me pushtetin vendor. Duhet të jemi sa më afër qytetarit në mënyrë që ai të ndjejë bashkëpunimin e qeverisë dhe të bëhet edhe vetë aktorë i përballimit të atyre problemeve me të cilat ndeshet shoqëria shqiptare. Ne jemi qeveri e vazhdimësisë. Unë mendoj se qeveria e kryeministrit Meta ka lënë gjurmët e veta në rrethet tuaja, të cilat na bie ne barra për t'i çuar më përpara.
Në përfundim të takimit në Prefekturën e Lezhës, Kryeministri Majko bëri dhe një vizitë në portin e Shëngjinit dhe në urën e Matit. Në portin e Shëngjinit zoti Majko u interesua për rritjen e kapaciteteve përpunuese të tij, si dhe për shtimin e investimeve për ta kthyerr këtë port në një qëndër të rëndësishme tregtare. Për vitin 2002 janë parashikuar rreth 35 milionë lekë investime nga buxheti i shtetit dhe rreth 30 milionë lekë të tjera nga vetë porti i Shëngjinit. Të gjitha këto investime kryhen në kuadër të një masterplani të financuar edhe nga Banka Botërore, i cili kap një shumë prej 20 milionë USD. Ndërsa ura mbi lumin Mat do të bëjë lidhjen midis autostradës ekzistuese dhe rrugëve të dyta të infrastrukturës së asaj zone, me financimin e të cilit merret kooperacioni italian dhe firmë zbatuese është "Falcione". Kjo urë, e gjatë 620 metra, pritet të përfundojë në shtator të këtij viti.