E Shtunë, 31 Tetor 2026

I ngacmojnë kushërirën, plagos me çifte të miturit

12/05/2009  Shpallet në kërkim 25-vjeçari, dy adoleshentë në spital me dëmtime të konsiderueshme

ELBASAN-I gjuan me çifte pasi i ngacmojnë me fjalë kushërirën, plagosen adoleshentët. Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e së dielës kur një 25-vjeçar ka menduar të trembë dy djem, pasi kishte mësuar se ata nuk i linin rehat kushërirën e mitur. Nga e shtëna dy djemtë me inicialet E.S dhe B.M 15 dhe 16 vjeç kanë marrë dëmtime saçmesh në të gjithë trupin.

Ngjarja

Agjentët e policisë i kanë marrë në pyetje dy të rinjtë nga fshati Mengël pasi ishin mjekuar për të hedhur dritë mbi ngjarjen, por ata nuk kanë treguar të vërtetën duke thënë se ishin plagosur nga pakujdesia. Menjëherë agjentët kanë shkuar në vendin ku ishte regjistruar gjithçka dhe kanë zbuluar se ngjarja ishte e qëllimshme dhe kishte një autor. Sipas të dhënave të grumbulluara autori i plagosjes ishte shtetasi Shpëtim Q. 25 vjeç me banim në Mengël. Ky i fundit ka arritur t’i shpëtojë arrestimit të policisë pasi kishte mundur të largohej në drejtim të paditur. Sipas policisë, ngjarja ka ardhur pasi dy adoleshentët e kanë tepruar duke ngacmuar me fjalë kushërirën e mitur të 25-vjeçarit, e cila një ditë më parë ka qenë duke kaluar në rrugë. Pasi ka mësuar këtë gjë, 25-vjeçari ka rendur për të marrë çiften pa leje dhe ia ka drejtuar dy të rinjve. Pasi ka qëlluar një herë, disa saçme kanë mbërritur tek dy djemtë, të cilët po vraponin për t’iu fshehur inatit të të riut. 25-vjeçari kishte leje për armën e gjahut dhe e përdorte për gjueti, por këtë herë ka menduar t’ju tregojë dy adoleshentëve se mbesa e tij nuk cenohej. Ndërsa të dëmtuarit janë dërguar në spitalin kirurgjik. Shpëtim ka braktisur armën e gjahut dhe është larguar edhe nga shtëpia. Aktualisht ai akuzohet për vrasje me dashje të mbetur në tentativë dhe efektivat janë vënë në kërkim për kapjen e tij. Ndërkohë edhe dy adoleshentët do të duhet të përgjigjen për dëshmi të rremë. Kur janë pyetur nga policia ata kanë ngurruar të tregojnë për autorësinë e plagosjes, por kanë thënë se janë plagosur aksidentalisht. Hetimet për këtë ngjarje vazhdojnë për të zbardhur të gjitha detajet e krimit. Ndërkohë vazhdojnë kërkimet për kapjen e autorit të plagosjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›