E Diel, 1 Nëntor 2026

I plagosuri i 21 Janarit: Nga plumbat e Gardës mbeta i paralizuar

TIRANE-Skënder Gode është një nga të plagosurit me armë zjarri në demonstratën e 21 janarit. Një vjetori i atij tubimi e gjen atë me një krah të paralizuar plotësisht. Në një intervistë të dhënë dje për “Gazeta Shqiptare”, Gode kërkon drejtësi nga shteti shqiptar.
Z.Gode, për çfarë arsyesh vendosët të merrnit pjesë në protestën e organizuar nga opozita në 21 janar?
Shkova në atë tubim si qytetar i lirë për të protestuar për mohimin e së drejtës sime të punës. Jam shkaruar padrejtësisht nga qeveria e Sali Berishës. Pa motivacion jam hedhur në rrugë. Unë nuk bëj pjesë në asnjë forcë politike. Më është mohuar e drejta e profesionit. Ndaj vendosa të protestoja për padrejtësinë që më ishte bërë.
Në ç’rrethana u plagosët?
Jam plagosur në momentet kur protesta po i drejtohej fundit. Gjithmonë kur e kujtoj atë moment pyes veten pse. Pse duhej të qëllohej mbi turmën pikërisht në ato çaste kur protesta dukej se po mbaronte? Kjo mbetet një nga pikëpyetjet e mia.
Nga kush i prisni këto përgjigje?
Nga drejtësia e cila duhet të pyesë kryeministrin Berisha pse e dha urdhërin për t’i qëlluar qytetarët me plumb në mish.
Ku ndodheshit në momentin e plagosjes dhe çfarë ishit duke bërë në atë moment?
Para se të merrja plumbin ndodhesha tek një nga lokalet që ndodhet në dy kullat binjake. Kisha hyrë aty për shkak se policia kishte hedhur në drejtim të turmës gazin lotsjellës. Kam lëvizur për shkak të asfiksisë që po më krijohej drejt lokaleve. Nuk kisha frymëmarrje normale dhe për këtë shkak u detyrova të hyja aty për të pirë një kafe e për t’u qetësuar. Doja të çlirohesha nga ajo gjëndje. Nuk kisha frymëmarrje normale. Bleva aty dhe një bidon të vogël me ujë. Duke qenë se ato ambjente ishin të mbipopulluara me njerëz vendosa të dal sërish në bulevard për t’u larguar. Dola jashtë dhe po drejtohesha drejt godinës së Piramidës. Mund të them se ndodhesha në një pozicion rreth 30-40 metra midis kryeministrisë dhe godinës së piramidës. Dëgjoja në sfond krismat e armëve të Gardës. Në atë moment është plagosur një gazetar. E kam patur shumë pranë. Kur e pashë që mikrofoni mos gaboj, që mbante në dorë i ra në tokë jam drejtuar drejt tij për ta ndihmuar pasi vura re se nga dora po i dilte gjak. Ishte krijuar në ato momente një situate lufte. Krisme dhe thirrje pa fund. U drejtova nga gazetari për t’i dhënë pak ujë meqënëse mbaja në dorë bidonin e vogël me ujë tek dy kullat. Në atë moment ndjeva se isha qëlluar.
Ku jeni qëlluar?
Plumbin e kam marrë në krahun e djathtë.
Dyshoni se jeni qëlluar me të njëjtin plumb?
Me plumba të ndryshëm por unë jam qëlluar pas gazetarit. I njëjti person ka plagosur atë dhe mua.
E patë kush ju qëllonte?
Një gardist në kënd të kuadratit të majtë të kryeministrisë. Ishte i futur në një frëngji. Kujtova se plumbi ishte nga ato paralizues. Sepse nuk e besoj që qeveria të qëllonte me plumb në mish protestuesit. Duke kujtuar gjithmonë se plumbi ka qenë paralizues kam ecur në drejtim të Dajtit. Kam bërë gati 500 metra në këmbë. Kur një moment ndjeva një gjende të fikti dhe pashë se nga krahu im i djathtë po më dilte shumë gjak. Mbaj mend që jam rrëzuar në tokë. Si në mjegull dëgjoja persona që ishin mbledhur mbi kokën time dhe kërkonin ndihmë. Ndoshta rastësisht apo e njoftuar nga dikush për pak minuta pranë meje mbërriti një ambulancë e cila pastaj më çoi me urgjencë drejt spitalit.
Si e vlerësoni përkujdesjen e mjekëve atë ditë?
Mjekët kanë bërë të pamundurën. Ishin të shkëlqyer dhe nëpërmjet kësaj interviste me ju dëshiroj dhe njëherë t’i falenderoj përzemërsisht. Por jetën time të dytë ia dedikoj, Erjon Braçes që bëri të pamundurën për mua. Ai më shpëtoi jetën pasi u përkujdes veçanërisht për mua në spital pasi atë ditë aty kanë ardhur lloj-lloj njerëzish për të cilët kam dyshimet e mia që vinin aty për të eliminuar protestuesit e plagosur.
Kush i mbuloi shpenzimet e tua shëndetësore?
Të gjitha i kam paguar vetë dhe me ndihëm e miqve të mi.
Si e keni gjendjen e krahut momentalisht?
Krahu tani e kam të paralizuar.
A keni patur ndihmë nga shteti?
Asnjë lloj ndihme. E vetmja ndihmë që kam marrë nga shteti është krahu i paralizuar. Unë jam plagosur nga njerëzit që gjoja ruanin kryeministrinë. Po nga kush? Turma ishte e paarmatosur. Kam dhënë shpjegime në prokurori pasi për këtë çështje është kryer edhe një eksperiment hetimor.
Ç’doni të thoni me një eksperiment hetimor?
Bashkë me prokurorë të çështjes, me mbikqyrjen e të huajve kemi shkuar në vendngjarje për të përsëritur skenën e ngjarjes. Pra për të riprodhuar momentin e plagosjes sime. Na kanë vendosur në vendet e plagosjes dhe na kanë pyetur për momentin në të cilin kemi marrë plumbin.
Kur ka ndodhur kjo?
Tre muaj pas 21 janarit. Kam vajtur 2-3 herë në prokurori. Për oficerët e policisë gjyqësore kam falenderime. Nuk arrij të kuptoj përse duhet të plagosesha në atë protestë që nisi në mënyrë paqësore por që degjeneroi në dhunë për shkak të provokimeve që iu bënë turmës nga ana e policisë. Me thënë të drejtën nuk më shkonte ndër mend të ngrija qoftë edhe një fije bari kundër institucioneve. Kam protestuar nga fillimi dhe deri në fund paqësisht. Si mundet që t’i qëllohet me plumb në mish një qytetari të lirë që proteston paqësisht. Jam gati të ulem dhe në bankën e akuzuarve. Kam parë njerëz të traumatizuar në ato momente që nuk do t’i harroj kurrë.
Çfarë prisni në një vjetorin e 21 janarit?
Të përfundojë sa më shpejt procedimi penal. Pres drejtësi, të cilën nuk e kuptoj pse po vonon kaq shumë. Drejtësia duhet të vihet në vend. Së pari për të lehtësuar dhimbjen e atyre familjeve që humbën njerëzit e tyre në atë protestë. Drejtësi për ne që u gjymtuam nga ajo protestë. Nuk më plagosi as një ushtar apo polic serb apo grek. Por më plagosi qeveria ime shqiptare. Unë do kërkoj dëmshpërblim nga shteti pasi hyj në kategorinë e plagosjes së rëndë.
Kë akuzoni për plagosjen tuaj?
Kryeministrin Berisha i cili dha urdhërin për të na qëlluar dhe ai duhet të japë sqarime.
Do të merrni pjesë në homazhet që pritet të organizojë opozita?
Sigurisht do të jem aty në bulevard për të protestuar sërish.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›