E Diel, 1 Nëntor 2026

I plagosuri i 21 janarit: Mora një plumb 1 cm larg zemrës

Sokol Çobo

Rrëfimi i Erald Bishës në gjykatë. Dëshmon edhe Zydi Dajti: Garda tejkaloi kompetencat

Sokol Çobo

Ish-shefi i Policisë Bashkiake të Tiranës, Zydi Dajti, dëshmoi dje në procesin e 21 janarit ku pohoi se Garda ka tejkaluar kompetencat duke qëlluar ndaj turmës me armë zjarri. Ai tha se ka qenë tepër aktiv gjatë demonstratës, pasi është thirrur nga krerët e policisë së Tiranës për të normalizuar situatën dhe të largonte protestuesit që po i afroheshin Kryeministrisë. Ndërkohë, përmendi edhe se ka njohur nga televizionet Agim Llupon si personi që ndodhej në dritaren e katit të parë të Kryeministrisë. Megjithatë, dëshmia e tij është kundërshtuar, pasi gjatë dëshmisë në prokurori kishte pohuar se nuk e njihte personin që qëlloi në drejtim të turmës. Dajti, që më parë ka punuar për një kohë të gjatë në Gardë dhe i liruar nga kjo detyrë në vitin 2006, pohoi se ishte personi i parë që i është afruar trupit të Ziver Veizit. Ndërkohë, dëshmoi edhe Erald Bisha, një nga të plagosurit gjatë demonstratës, i cili pohoi se ka marrë një plumb një centimetër larg zemrës.

I plagosuri

Erald Bisha, 33 vjeç, ishte dëshmitari i parë. Ai pohoi se kishte shkuar rastësisht në demonstratë dhe kishte ndjekur një itinerar nga zona e ish-Bllokut, te kryesia e Kuvendit dhe më pas do të gjendej në mes të bulevardit, midis Kullave Binjake dhe Piramidës, në pjesën veriore të Kryeministrisë. Ai ka qëndruar afër stendës të ngritur nga gazetarët, pas dy pishave dhe me fushëpamje mbi Kryeministrinë. Tha se ka qenë vetëm, i pashoqëruar. Para plagosjes pohon se ka dëgjuar të shtëna armësh, fillimisht tek e tek dhe më pas në breshëri. U stepa, pasi refleksi është i atillë kur dëgjon të shtëna armësh. Më pas kam ndier një tronditje në gjoks. U ktheva dhe kam ecur disa metra në afërsi të Kullave ku ishte një ambulancë dhe kërkova ndihmë, pasi nuk po qëndroja dot në këmbë. Nuk më thanë se çfarë kisha dhe me urgjencë më dërguan në Spitalin Ushtarak ku më futën menjëherë në sallë operacioni. Kam qëndruar një natë në këtë spital. Erdhi grupi hetimor më mori bluzën e xhaketën, si dhe kam dhënë shpjegime para tyre. Më pas kam dalë nga Spitali Ushtarak dhe kam shkuar në një klinikë private. Nga skanimi i plagës tejshpuese rezultoi se plumbi kishte kaluar 1 centimetër larg zemrës, me hyrje nga pjesa e kraharorit dhe me dalje nga shpatulla. Kam qëndruar një muaj në klinikë private për shkak të disa problemeve, jo jetësore, pohoi Eraldi para gjykatës.

Më pas u pyet nga prokurori Blerim Tominaj në lidhje me itinerarin e lëvizjes, ku Bisha ripohoi se kishte ardhur nga zona e ish-Bllokut për në drejtim të demonstratës. Në momentin që kishte shkuar në këtë miting kishte vënë re se kishte veprime dhune nga të dyja palët, ku turma qëllonte me gurë dhe nga ana tjetër gardistët qëllonin me armë zjarri. Dëshmitari u pyet për  momentin e plagosjes dhe nga vinin plumbat. Tha se qëllohej me armë zjarri nga Kryeministria dhe fillimisht kanë qenë tek e tek. Kam parë që qëllohej me armë zjarri, pasi degët e disa pemëve po binin në tokë. Fillimisht mendova se ishin plumba manovër. Nuk kam parë se kush qëllonte, pohoi 33-vjeçari, duke dhënë shpjegime në momentin që ndaj tij është qëlluar me armë zjarri. Ai tha se në fraksionin para plagosjes ka parë një ushtar te dritarja në katin e parë të Kryeministrisë i cili qëndronte në një bordurë. Qëndrimi i këtij personi ishte konstant, pohoi dëshmitari. Më pas 33-vjeçari u pyet edhe nga avokatët që munduan të faktonin se në momentin e krismave nuk ka pasur asnjë punonjës policie para rreshtimit të gardistëve. Dëshmitari i pyet edhe nga Agim Llupo, se ushtari që qëndronte në dritaren e katit të parë të Kryeministrisë ishte në këmbë apo në gjunjë. Bisha pohoi se me sa mbante mend ishte i strukur dhe nuk e kishte parë me shumë detaje.

Polici bashkiak

Ish-drejtori i Policisë Bashkiake të Tiranës, Zydi Dajti, ishte një nga dëshmitarët e thirrur nga prokurori në procesin e 21 janarit. Fillimisht shpjegoi masat e marra nga struktura që ai drejtonte ditën e demonstratës, ndërsa përmendi edhe se ka qenë pjesë e Gardës së Republikës deri në vitin 2006 ku është liruar për mosplotësim të gradës. Ai tha se është afruar në protestë në momentin që ka dëgjuar të shtëna armësh për të parë se çfarë kishte ndodhur. Konstatova se po gjuhej me armë luftarake, pasi pashë disa degë të pemës që po binin në tokë. Mora kontakt me drejtorin e Policisë së Tiranës, Sajmir Muça, si dhe me zv/drejtorët Dorian Muça e Gjergj Jorgo që më kërkuan bashkëpunim. Shkova pranë kangjellave dhe me kurriz nga Kryeministria fillova të largoj çdo person që kishte hipur mbi bordurë së bashku me disa deputetë të PS-së. Në momentin që qëllohej me armë zjarri nga ana e forcave të Gardës kam larguar një 16-vjeçar dhe më pas kam parë tre metra larg meje një qytetar të shtrirë. Personi lëvizi dorën e majtë dhe më pas kokën. Në këtë moment kërkoi ndihmë dhe më pas vijnë disa persona dhe e marrin e çojnë në spital, tha Dajti dje në sallën e gjyqit. Sipas tij, armët e gardistëve ishin në drejtim të turmës. I pyetur sesa gardistë qëllonin pohoi se ishin rreth 5-6 persona. Për shumë minuta, Dajti është pyetur hollësisht për disa detaje dhe në asnjë moment ai nuk është lënë për të dhënë mendimin e tij. Një nga momentet kyçe të dëshmisë së tij ishte rasti kur pohoi se kishte identifikuar Agim Llupon si personin që ishte në dritaren e katit të parë të Kryeministrisë duke qëlluar në drejtim të ulët nga toka. Megjithatë, i pyetur më pas pohoi se e kishte faktuar se ishte Llupo nga pamjet e televizioneve.

Dajti

Mua më kanë marrë oficerët e lartë të policisë që të qetësoja situatën dhe unë u përpoqa që demonstruesit të mos hynin në Kryeministri

Bisha

Nga skanimi i plagës tejshpuese rezultoi se plumbi kishte kaluar 1 centimetër larg zemrës, me hyrje nga pjesa e kraharorit dhe me dalje nga shpatulla

I plagosuri i 21 janarit: Mora një plumb 1 cm larg zemrës burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip Nga diktatura në demokraci

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›