E Shtunë, 31 Tetor 2026

SMS-të kërcënuese ndaj pronarëve të fabrikës së çimentos

Bledi Gilaj

Hetimet

Mesazhet - Do tju vrasim, do tju therim, se ju nuk na jepni paratë tona, është një pjesë e tekstit të mesazhit kërcënues ndaj Charles Bourit

Zbulimi - Policia e kryeqytetit ka ndjekur telefonin ku është përdorur karta që çoi mesazhin dhe nëpërmjet tij kanë shkuar te Fredjan Zalla

I dyshuari - Fredjan Zalla u lirua nga burgu para tri javësh, po për të njëjtën akuzë, ndërkohë që paraprakisht ka pranuar autorësinë e SMS-ve

Bouri-Jeha - Charles Bouri ka treguar në polici se bashkë me aksionerin Jorge Jeha janë kërcënuar disa herë, por nuk i kuptonin mirë fjalët shqip. Madje, Jeha ndodhej jashtë Shqipërisë ditën e denoncimit, por do të paraqitet në polici për kërcënimet ndaj tij

Policia arreston të liruarin nga burgu, Fredjan Zalla

Sipas policisë, gjatë kontrollit në banesën e familjes Zalla u gjetën prova të tjera implikuese

Bledi Gilaj

Brenda tri ditësh, policia e kryeqytetit ka mundur të zbardhë SMS-të kërcënuese ndaj pronarëve të fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë dhe të arrestojë të dyshuarin. Personi i vendosur në pranga është pikërisht Fredjan Zalla, i cili u lirua nga burgu para tri javësh, pikërisht për kërcënime të mëparshme ndaj të njëjtëve aksionerë. Bëhet fjalë për SMS-të kërcënuese ndaj Charles Bouri dhe Jorge Jeha, të cilët iu drejtuan policisë katër ditë më parë për të kallëzuar penalisht kanosjen, që nuk e dinin se nga kush u vinte.

Sipas të dhënave, në mesazhet telefonike, ata ishin kërcënuar me jetë për paratë që nuk u jepnin banorëve. Do tju vrasim, do tju therim, se ju nuk na jepni paratë tona, është një pjesë e tekstit të mesazhit kërcënues, që nga një numër celular ishte dërguar drejt aksionerëve të fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë. Por, menjëherë pas kallëzimit të depozituar nga Charles Bouri për veprën penale të Përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike, në sajë të një pune hetimore, brenda 48 orëve të strukturave të Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Lirisë së Personit, u arrit zbulimi i autorit të kësaj vepre penale. Sa më sipër, u arrit kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Fredjan Zalla, kapje e cila u realizua në afërsi të Urës së Gjolës, në Fushë-Krujë. Fredjan Idriz Zalla, 27 vjeç, lindur në Zallë-Krujë, e banues në fshatin Zallë-Krujë, ka qenë i dënuar më parë disa herë për kërcënime, përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike, kundërshtim të punonjësit të rendit publik dhe prishje të qetësisë publike, deklaroi zyrtarisht policia e kryeqytetit. Tashmë, ai dyshohet edhe për SMS-të ndaj dy aksionerëve të lartpërmendur.

Burimet nga grupi hetimor shpjeguan se zbulimi u bë nga të dhënat e telefonit, që ka përdorur Zalla. Para tri javësh, ai ishte liruar nga burgu, pasi ka qenë i dënuar për kërcënime të mëparshme ndaj autoriteteve të fabrikës së çimentos. Ai kishte hedhur kartën, me të cilën ka bërë kërcënimet, megjithëse të njëjtin telefon e ka përdorur me një kartë tjetër. Burimet policore thanë se gjatë kontrollit në banesë i kanë gjetur edhe prova të tjera implikuese. Ndërkaq, burimet policore thanë më tej, se pas marrjes në pyetje, ai ka pranuar mesazhet telefonike, pasi pronarët e fabrikës nuk shlyejnë detyrimet financiare ndaj familjes së tij, që kanë lindur për shkak të pronës.

Megjithatë, pas vrasjes së palestinezit Anuar Rizik, kërcënimet ndaj pronarëve të fabrikës së çimentos janë vlerësuar më seriozisht, kështu që është vendosur arrestimi i 27-vjeçarit nga fisi Zalla. Ndërkaq, dy javë më parë, një tjetër sasi eksplozivi u vendos në zonën e fabrikës. Për këtë ngjarje, policia shoqëroi mbi 20 persona, por pa arritur identifikimin e autorit. Ndërkohë vrasja e Rizik mbetet ende e pazbardhur dhe prokuroria ia ka kthyer dosjen policisë për hetime të mëtejshme, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve. Grupi hetimor që është ngritur për zbardhjen e ngjarjes, është përqendruar në dy pista kryesore hetimi, atë të konfliktit mes pronarëve të fabrikës me pronarët e truallit ku ngrihet objekti, si dhe në pistën e konkurrencës mes fabrikave që prodhojnë çimento në zonën e Fushë-Krujës me synim zgjerimin e tregut. Burime policore bëjnë të ditur se ka gjasa që pista e dytë të jetë dhe kryesore, pasi konkurrentët në biznes mund të shfrytëzojnë konfliktin e hershëm të fabrikës me banorët e Zallës, për të humbur gjurmët dhe për të krijuar një klimë aspak të favorshme për drejtuesit e saj.

Vendimi

Mesazhet e Zallës ndaj pronarëve të fabrikës

Fredjan Zalla, deri para një muaji, vuante dënimin për kërcënime të tjera ndaj autoriteteve të fabrikës. Sipas vendimit të gjykatës, ai kishte dërguar SMS në telefonin e Artur Gabës, i cili punon si menaxher i fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë. Një nga mesazhet kishte këtë përmbajtje. Dy herë i fute hundët në punët e mija, unë dua me rregullu punët e mia, pse smë le rehat, më je bo borxhli. Shih rrogën tate, mos u fut më thellë, guxove e u afrove do të jetë fatale për ty dhe familjen tate. Në qoftë se vazhdon me këtë ritëm, radhën e ka shtëpia jote. Ndërsa në mesazhin tjetër kërcënues, Fredjani shprehej: Zoti Carli, ke afat deri më datë 30 prill, është afati i fundit për ju, ndërkohë që në një tjetër SMS shtonte ju keni kujdes se do paguani me kokë, shkëputni nga fabrika marrëdhëniet, hakmarrje për drejtësi, loja filloi, deri më datë 30 do shikojmë. Hetimi gjyqësor ka provuar se nr. cel 0685066768, i cili ka kanosur shtetasin Artur Gaba është përdorur nga aparati celular nr. IMEI 35493027795890, i cili po ashtu ka përdorur edhe numrat tel cel. 0685147607 dhe 0685176020, të cilat nga hetimi i çështjes kanë rezultuar në përdorim të të pandehurit Fredjan Zalla.

SMS-të kërcënuese ndaj pronarëve të fabrikës së çimentos burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip Nga diktatura në demokraci

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›