E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kroatë e turq: Beteja e tretë e Vjenës

Turqit rrethojnë Vjenën pas 325 vjetësh, ishte titulli i medias kroate 24sata. “Turqit rrethojnë Vjenën pas 325 vjetësh”, ishte titulli i medias kroate “24sata”. “Vjenën e kemi mbrojtur qysh herët nga turqit dhe me fitoren e tyre, kroatët sërish do t’i përzënë turqit nga Vjena”, shkroi “Jutarnji Listi”. Mediat kroate bëjnë garë me njëra-tjetrën kush e kush të shtojë sa më shumë argumente historikë në sfidën çerekfinale mes dy skuadrave në Euro 2008. Trupa kroate ishin në krah të austriakëve në dy rrethimet e mëdha të Vjenës më 1529 dhe 1683, kur kështjella u mbrojt me shpirt ndër dhëmbë dhe pas 1683-it, u shënua perëndimi i pakthyeshëm i Perandorisë së frikshme Otomane.
Ndeshja e futbollit në kryeqytetin austriak nuk mund të mos zgjonte disa kujtime të largëta, shekuj të tërë larg, kur burra të armatosur të të dyja palëve, turqve e kroatëve, ndesheshin për Ballkanin. Asokohe, kroatët ishin krah për krah me “magjarët”, hungarezët, dhe humbën shumë beteja ndaj sulltanëve, por Kroacia i shpëtoi qytetet e saj. Zagrebi, Spliti, Dubrovniku, Rijeka etj., rezistuan dhe u bënë aleatë pikërisht me austriakët që do të jenë mikpritësit e ndeshjes çerekfinale të Euro 2008-ës. Nëse serbët kujtojnë betejën e Kosovës më 1389, kroatët kujtojnë atë të Mohaçit në Hungari më 1526, të dyja të humbura përballë turqve.
Ndeshja do të luhet sot në 20:45 në “Ernst Hapel” të Vjenës, por jehona do të ndihet më larg. Jo vetëm në Zagreb apo Stamboll. Një qytet i tillë është Mostari në Bosnje-Hercegovinë, ku policia vendosi një shtetrrethim të vërtetë për të penguar sherret mes kroatëve katolikë dhe boshnjakëve myslimanë. Përvoja e vitit 2006, kur dy palët u përleshën pas takimit Kroaci-Brazil në Botërorin e Gjermanisë, ka bërë që këtë herë të mbahen mirë sytë hapur.
Përtej rivalitetit historik, të shuar prej 325 vjetësh, kroatët dhe turqit kanë mes tyre edhe një rivalitet sportiv, pikërisht sepse janë përballë në çerekfinale të Euro 2008-ës. Tri përballjet deri tani kanë ndarë rezultatet: një fitore për kroatët e dy barazime, pra diferenca ka qenë fare e vogël. Mos të harrojmë se dy palët janë ballkanas, pra në një farë mënyre është derbi. Kroacia doli e treta në botë në vitin 1998, turqit u përgjigjën si të tretët më 2002-in, ndërsa grekët i lanë të dyja palët prapa me titullin evropian më 2004-ën. Nuk mund të thuhet se turq e kroatë nuk janë të motivuar edhe nga kjo. Ambicia e përbashkët asgjëson përparësinë e ndonjë pale, por bëhet plus në përballjet me skuadrat e tjera që nga gjysmëfinalja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›