E Diel, 1 Nëntor 2026

I rishqyrtohet dënimi

Autoritetet kineze kanë pranuar që të rishqyrtojnë gjobën me para, në vlerë prej 2.4 milionë dollarësh, të shqiptuar ndaj artistit kinez Ai Weiwei. Gjoba i ishte shqiptuar për shkak të pretendimit se artisti i ishte shmangur tatimit, njofton portali SEEcult.

Artisti më i njohur kinez në botë, i cili njihet edhe si aktivist i të drejtave të njeriut, Ai Weiwei, është dënuar me gjobë prej 2.4 milionë dollarësh në nëntor të vitit 2011.

Në arsyetimin e këtij dënimi autoritetet kineze pohonin se ai i është shmangur pagesës së tatimit në fitim, të krijuar përmes afarizmit të kompanisë Fake Cultural Development Ltd, themelues i së cilës është Weiwei, megjithëse kompania është e regjistruar në emër të bashkëshortes së tij.

Mirëpo, përderisa pushteti kinez është i bindur se Weiwei është ai që e kontrollon kompaninë, artisti pohon se nuk ka asnjë rol udhëheqës në të, por është i angazhuar vetëm në cilësinë e dizajnerit.

Weiwei tashmë ka paguar rreth 1.3 milionë dollarë të gjobës së përcaktuar, kështu që tani ka fituar të drejtën e ushtrimit të ankesës. Shumën e paguar ai e ka grumbulluar falë 30,000 miqve dhe artdashësve të artit të tij nga vendi dhe bota, të cilët i dërgonin para gjatë gjithë kësaj kohe. Kohë më parë ai deklaronte se këto para do t’ua kthente të gjithëve atyre që i ndihmuan.

Sipas fjalëve të Weiwei, të cilat i raportojnë disa nga agjencitë e lajmeve, zyrtarët kinezë tani e kanë njoftuar se rishqyrtimi i dënimit do të mund të marrë deri në dy muaj kohë.

Weiwei po ashtu përsërit qëndrimin e tij se të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij, në fakt, paraqesin vetëm një përpjekje për ndalimin e kritikave të tij ndaj pushtetit kinez.

Ndryshe, Weiwei deri tani është arrestuar disa herë. Herën e fundit i kaloi 81 ditë prapa grilave – nga muaji prill deri në muajin qershor të vitit 2011. Madje, për disa javë rresht nuk dihej fare se ku ndodhej, ndërkohë që disa muaj para kësaj periudhe autoritetet ia kishin shkatërruar edhe atelienë ku punonte.

Pas lëshimit nga burgu, Ai Wewei vazhdoi të postonte porosi në internet – kryesisht nëpërmjet rrejti social Twitter, por edhe të jepte deklaratat për mediat e huaja.

Në fund të vitit që e lamë pas revista prestigjioze e artit ‘ArtReview’ e shpalli atë si artistin më me ndikim në botë.

Si rrjedhojë, Wewei, në njëfarë mënyre, do të jetë në qendër të vëmendjes edhe gjatë Festivalit të Filmit Sundance, ku filmi me titull “Ai Weiwei: Never Sorry”, i cili flet për jetën dhe krijimtarinë e tij do ta ketë premierën e tij botërore. Autore e filmit është gazetarja dhe regjisorja, Alison Clayman, e cila jetoi në Pekin mes viteve 2006 dhe 2010. Mes viteve 2008 dhe 2010, ajo u takua dhe bisedoi shumë shpesh me Weiwei, duke e xhiruar atë derisa pikturon ose duke i përgatitur ekspozitat e tij.

Sipas Clayman, filmi për Weiwei nuk është vetëm një rrëfim i thjeshtë për krijimtarinë e tij, por edhe për raportin që ai ka ndaj familjes dhe për konfliktet e tij me autoritetet kineze. Si pasojë, ajo vendosi që të fokusohet jo vetëm në ndikimin që Weiwei e ka krijuar në botën artistike, por edhe më gjerë, në tërë shoqërinë e Kinës moderne.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›