I sëmuri me veshka, prej 10 vitesh në Janinë për dializën
Kujtim Alikaj bën apel për ndihmë: Nuk kam më mundësi të blej medikamentet, po degradoj përditë
Sarandë-Prej dhjetë vitesh, dy herë në javë ai bën rrugën e Janinës, për t’u trajtuar në spitalin e këtij qyteti. Kujtim Alikaj është vetëm një ndër të sëmurët me insuficiencë renale, që për nevoja të ngutshme shëndetësore detyrohet të mundohet rrugëve, duke u rrënuar edhe ekonomikisht. Tani, në kulmin e dëshpërimit thotë se e ka të pamundur ta përballojë situatën dhe bën apel për ndihmë. “I lutem shtetit të ndërhyjë, ndryshe jeta ime rrezikohet. Kam nevojë për mbështetje, pasi mjekimin me shpenzimet e mia tashmë e kam të pamundur”,- bën apel ai.
***
Sipas tij, të dënuar me qarkullimin artificial dhe pastrimin total të gjakut përmes dializës, që i drejtohen Janinës janë shumë pacientë nga Përmeti, Tepelena, Gjirokastra dhe Saranda.Para dhjetë viteve, shkonin në Janinë, në të njëjtin spital, 37 të sëmurë. “Sot kanë mbetur vetëm 5 vetë. Të gjithë të tjerët kanë ndërruar jetë për shkak të përparimit të sëmundjes”,- thotë me dhembje ai. Ai tregon se në spitalin që mjekohet vazhdimisht ka rregulla që nuk mund të thyhen. Shteti grek, sipas tij, për të sëmurët e vet ka nxjerrë rregullin, që medikamentet plotësuese të tretura në serumin e dializës i përballon përmes financimit nga shteti. “Pacienti i tërheq nga farmacia preparatet që i duhen me librin esigurimeve shëndetësore, por këtu nuk përfshihen shtetasit e huaj”- thotë ai. Kohë më parë, sipas tij, ata nuk kishin probleme, por tani me këtë rregull të ri, ne duhet t’i marrim barnat me paratë tona”,- thotë ai, duke kujtuar se edhe pse ka librezë shëndetësore, ajo nuk njihet gjëkundi. Ndërkohë që barnat janë shumë të shtrenjta, aq sa nuk mund t’iu afrohesh dot farmacive.
***
Për këtë, Kujtimi kërkon ndihmën e ministrisë, apo institucioneve përkatëse. Sipas tij është e nevojshme një riplotësim i marrëveshjes mes palëve, që ata t’i ndihmojë dhe t’i lehtësojë nga problemi i medikamenteve. “Në Gjirokastër preparatet me të cilat jam trajtuar as që gjenden, ndaj detyrohem të shkoj jashtë vendit”,- ankohet ai, duke shtuar se më parë nuk ka pasur probleme. Por, që prej një muaji nuk ka asnjë mundësi të marrë ilaçet që i duhen. “Më kanë filluar problemet me këmbët, frymëmarrjen, marrje mendsh. Po degradoj përditë”,- thotë ai, duke kërkuar ndihmë, pasi sipas tij, shteti nuk duhet të ketë probleme për plotësimin e këtyre nevojave.
Luan Sejdini