Mbyllet Uzina Mekanike, 60 punëtorë mbeten pa punë
****Vendimi u zbatua dje nga tatimet. Dega e Tatimeve: Uzina i detyrohet 17.5 milionë lekë shtetit
Kryetari i Sindikatës: Veprim i padrejtë dhe i nxituar. Punëtorët: Mbajmë gjallë familjet me këtë punë
ELBASAN-Dega e Tatimeve në Elbasan ka lëshuar dje vendimin për mbylljen dhe bllokimin e aktivitetit të Uzinës Mekanike, deri në shlyerjen e të gjitha detyrimeve të prapambetura nga kjo uzinë, që kapin vlerën e 17.5 milionë lekëve të reja. Fill pas vendimit, është zbatuar urdhri i dhënë, duke u bllokuar dyert hyrëse të uzinës, por kjo ka hasur në kundërshtimin e punëtorëve. Punëtorët, gjithsej 60, edhe pse të pasiguruar, kanë kërkuar që të lejohen të vazhdojnë punën, derisa të gjendet një zgjidhje mes palëve. Por, duket se tashmë do të renditen në listën e të papunëve.
Vendimi
Përfaqësuesi i degës së Tatimeve, Arben Elezi, tha se ky vendim ka ardhur pas përfundimit të të gjitha afateve ligjore për shlyerjen e detyrimeve që kjo Shoqëri Aksionere i detyrohet shtetit për sigurimet shoqërore, sigurimet shëndetësore dhe tatim fitimin. Vendimi për bllokimin e aktivitetit erdhi, pasi kësaj shoqërie i ishte lënë një afat prej 9 muajsh për të shlyer detyrimet e prapambetura. Dega e tatimeve në Elbasan ka deklaruar se kjo uzinë është toleruar disa here. “Ajo madje është paralajmëruar, por deri tani nuk ka pasur asnjë reagim në shlyerjen e këtyre detyrimeve të prapambetura. Për këtë arsye është marrë masa drastike e bllokimit të aktivitetit dhe sekuestros, derisa kjo kompani të derdhë të gjithë borxhin e krijuar brenda tre vjetëve ndaj shtetit”- thanë burimet zyrtare nga tatimet.
Sindikata
Por drejtues të firmës dhe përfaqësues të sindikatës së punëtorëve thonë se ky vendim për bllokimin e aktivitetit është i nxituar. Maksim Spahiu, drejtues i sindikatës së punëtorëve ka bërë dje me dije se shteti i detyrohet Shoqërisë rreth 340 milionë lekë, nga mallrat që ka marrë nga kjo ndërmarrje për ndërmarrje të tjera shtetërore dhe nuk ka shlyer paratë. Për këtë qëllim sipas tij, drejtori i Uzinës, Haxhi Lushnjari, dhe përfaqësues të tjerë të saj kanë kërkuar takim me ministrat Ridvan Bode dhe Genc Ruli. “Në rast se dy ministrat do të vendosin t’i kthejnë paratë shoqërisë, atëherë borxhi është i shlyer, pasi ne i detyrohemi shtetin 175 milionë lekë të vjetra, ndërsa shteti ne 340 milionë lekë”,- tha ai, duke kujtuar se bllokimi i aktivitetit nuk është zgjidhja e problemit. Ai ngre problemin e madh që iu krijohet 60 punëtorëve që mbajnë familjet nga kjo uzinë. Punëtorët, kanë pranuar madje të vazhdojnë punën edhe të pasiguruar për nevojat e ngutshme që kanë.
Punëtorët
Punëtorët nga ana e tyre, të gjendur përballë një situate të tillë, kanë mbetur pa fjalë. Nosi Sinani, një ndër punëtorët e kësaj uzine, thotë se shteti nuk po përkrah biznesin dhe me këtë gjë, të dëmtuar mbeten ata që janë të punësuar. “Ne kemi vite që punojmë dhe në rast se uzina do të mbyllej, atëherë mbetemi të papunë. Është e vërtetë, që nuk janë derdhur sigurimet shoqërore dhe kjo është në dëmin tonë, por nuk kemi se çfarë të bëjmë”,- thotë ai, duke shpresuar në premtimin e drejtuesve të uzinës për derdhjen e sigurimeve. Sipas tij, janë gjithsej 60 familje që ushqehen me këtë punë. “Ne mbajmë gjallë familjet me këtë punë dhe mbyllja do të thotë katastrofë për ne”,- thotë ai. Të njëjtin hall kanë qarë mes tyre të gjithë punëtorët, që e sotmja do t’i gjejë jashtë dhe të papunë.
Bardha Nergjoni
Uzina
Uzina Mekanike ka qenë prodhues i madh për pjesë këmbimi për uzinat e mëdha dhe Hidrocentralet. Në kohën kur u privatizuan ndërmarrjet shtetërore, kjo Uzinë u mor nga 60 aksionerë që ishin njëkohësisht edhe punëtorët e saj. Vështirësitë financiare të saj erdhën, jo vetëm nga ndryshimi i kushteve ekonomike dhe të prodhimit, pasi shumica e uzinave dhe fabrikave u mbyllën por edhenga keq menaxhimi. Drejtori aktual i uzinës thotë se një ndër problemet më të mëdha që has kjo Uzinë është moskthimi i parave nga ish- ndërmarrjet shtetërore në shuma të konsiderueshme. “Po të ishin arkëtuar këto detyrime që kapin shifrën e rreth 34.5 milionë lekë të reja, atëherë, uzina nuk do të kishte këto probleme”- shprehet Lushnjari. B.N