Zbulohet vrasësi i 22-vjeçarit, arrestohet
SHKODËR-Rihapja e hetimeve për një dosje të pezulluar për mozbulim autori ka bërë që policia dhe prokuroria e Shkodrës të vërë në pranga njërin prej autorëve të dyshuar. Dilaver Kasem Katicaj, 35-vjeç, banues në lagjen “Partizani”, në Shkodër, është ndaluar pasi akuzohet se së bashku me vëllanë e tij, Taip Katicaj, më 12.04.2000 kanë vrarë
22-vjeçarin Jetmir Dhampiri, vrasje kjo e ndodhur në lagjen «Rus». Dosja hetimore për këtë vrasje ka qenë e pezulluar për mos zbulim autori dhe është rihapur vetëm pak kohë më parë. Sipas policisë, është bërë i mundur dokumentimi ligjor i kësaj vrasjeje dhe identifikimi i autorëve. Policia ka bërë dje ndalimin e tij, ndërkohë që ka shpallur në kërkim të vëllanë, si bashkëpunëtor në vrasje.
A.D
****Kapet i dënuari për vjedhje
SHKODËR-Policia e Shkodrës ka ndaluar shtetasin Pal Tatgjoni 18-vjeç, lindur në Gimaj e banues në Rrenc, në Shkodër, pasi gjykata e Shkodrës një muaj më parë e kishte dënuar me tre muaj burgim për vjedhje. Ai ishte person i shpallur në kërkim dhe kapja e tij është bërë në paraditen e djeshme. Policia ka ndaluar edhe dy vëllezërit Gjelosh e Prek Miri, përkatësisht 35 dhe 38-vjeç, pasi akuzohen për kanosje, goditje dhe shkatërrim të pronës me dashje. Sipas policisë, ata janë grindur me shtetasin Jetmir Elezi, 22-vjeç, nëfshatin Shtoj i Vjetër. Ndërsa 22-vjeçari ka dashur të largohet me automjetin e tij, tip Benz me targë SH 9756 D, dy vëllezërit e kanë ndaluar dhe e kanë kanosur e goditur, ndërsa mjetin e kanë shtyrë duke e hedhur në kanal.
A.D
****Procedohet 46-vjeçari, akuzohet për falsifikim
ELBASAN-Pas një denoncimi të bërë nga ish- pronari i truallit, Seksioni Kundër Krimit Ekonomik Financiar ka filluar procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit Edmond Isai. «Isai akuzohet nga kallëzuesi se ka përvetësuar me anë të dokumenteve të falsifikuara rreth 800 metra katror truall»,- thonë burimet policore. Lidhur me këtë çështje kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe për të vërtetuar falsifikimin.
B.N
****Grindet me bashkëshortin, pi fostoksinë
ELBASAN-Rasti është regjistruar në fshatin Mjekës të Elbasanit, ku pas një grindjeje mes dy bashkëshortëve, gruaja e re ka pirë një kokërr fostoksinë. Menjëherë ajo është transportuar për në spitalin kirurgjik të Elbasanit ku edhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Nisur nga kjo ngjarje policia ka filluar çështje penale ndaj bashkëshortit, Etlin Boçi, nën akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes së mbetur në tentativë. Aktualisht mësohet se gruaja ka kaluar gjendjen kritike dhe është përmirësuar.
B.N