E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Nishani shtron iftar ne Naten e Kadrit

Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani shtroi sonte një Iftar në Pallatin e Brigadave, me rastin e Natës së Kadrit të Muajit të Ramazanit. Ai ka uruar të gjithë besimtarët për këtë rit të shenjtë.

“Muaji i Ramazanit është një rit madhështor e kuptimplotë. Në këto ditë besimtarët ngrenë lart sakrificat. Me anë të agjërimit ju tregoni superioritetin e virtytit mbi vesin. Përmes kësaj sfide që bëni, ju bëni atë që më tepër se gjithcka i duhet njerëzimit, dëshmoni dhe forconi besimin tek Zoti”, tha Nishani në një fjalë të mbajtur para iftarit.

“Të qenit i uritur materialisht dhe i ngopur shpirtërisht është një e mirë e madhe, e kundërta e keqe e madhe. Uria e vullnetshme dhe e shenjtë e Ramazanit, kjo uri e bukur që gjatë këti iftari do ta largojmë është larg urisë së imponuar të dhjetëra viteve të shkuara. Është entuziazmues fakti se brenda urisë së imponuar kishte jo pak që mbanin Ramazan. Është madhështore dhe rrënqethëse të kujtosh sot atë heroizëm të asaj kohe. Ishte ky besim i pafund te Zoti, kjo bindje e palëkundur tek të mirat e sakrificës dhe durimit që e mbajtën gjallë besimin dhe bënë të mundur që Zoti të triumfojë mbi Djallin, të triumfojë e mira mbi të keqen, e bukura mbi të shëmtuarën, pasurimi mbi fukarallëkun, kjo kohë ndaj asaj kohe. Erdhi kjo ditë që lirshëm të mbajmë Ramazan, të shtrojmë iftar dhe të zbatojmë të gjitha ritet. Duke dëshmuar përkushtimin ndaj Zotit me privacion dhe sakrificë ju dëshmoni seriozitetin e virtytit ndaj vesit, punës ndaj parazitimit etj”, theksoi me tej Presidenti.
Të pranishëm në këtë Iftar ishin Kryetari i Komunitetit Mysliman, Haxhi Selim Muça, drejtuesit dhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare, të trupit diplomatik dhe të institucioneve kushtetuese si dhe përfaqësues nga bota akademike, të artit dhe kulturës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›