I shoqëron për dy ditë, më pas vjedh turistët
DURRËS - Vidhet turisti serb në Durrës. Sipas denoncimit të bërë në polici, tregtari është vjedhur pikërisht nga një i mitur i cili bashkë me familjen e vet e kishte shoqëruar për dy ditë. Nena Peshiç nga Vranja e Serbisë me aktivitet tregtar në Beograd, ka ardhur për herë të parë për të kaluar pushimet në plazhin e Durrësit së bashku me gruan e vet Suzan dhe gjatë seancave të plazhit janë vjedhur. Në polici turisti serb ka deklaruar se i janë vjedhur në plazh tek çadra 1000 euro, 160 000 lekë, si dhe 2 çelesat e banesës ku rrinte me qira. Në inventarin e vjedhjeve policia ka fiksuar edhe një sasi sendesh personale të së shoqes, si dhe nje aparat fotografik, aparatin celular me gjithë kartën e biznesit.
Nga denoncimi i kryer nga personi i dëmtuar rezulton se ka qenë ora 16:00 kur çifti i bashkëshortëve turistë kanë hyrë në det për t'u larë dhe në çadër kanë lënë një 12-vjeçar, i cili i është prezantuar me emrin Martin dhe u kishte thënë se banonte në Durrës. Çifti ka lënë në çadër edhe një çantë të verdhë brenda së cilës ndodheshin paratë dhe materialet e tjera që u vodhën. Kur janë kthyer nga deti ata kanë konstatuar se i kishte vjedhur "miku" që i kishte shoqëruar 2 ditë radhazi në plazh. Pasi është konstatuar vjedhja, për të cilën Peshiç thotë se i kishte lënë një shije mjaft të hidhur, ai ka kontaktuar me punonjësin e policisë dhe më pas ka bërë denoncim ku ka deklaruar mbi gjërat e vjedhura, si dhe mbi personat e dyshuar. Ai ka shprehur dyshimin se prindi i 12-vjecarit, të cilin do ta njihte po ta shikonte, mund të ishte edhe tutori i të birit. Me të kishin luajtur bashkë futboll në rërë disa herë. Turisti ka deklaruar se dyshonte tek 12-vjeçari, pasi çadra i qe lënë në ruajtje pikërisht atij, sepse edhe qenë miqësuar dhe kishin ndenjur nën çadër së bashku me prindërit e tij dhe të dyja motrat e vogla. Në polici ai ka thënë se fëmija ishte 12 vjec, kishte mbaruar klasën e shtatë dhe se ishte rreth 1metër e 60 cm i gjatë.
Nena Peshic ishte agronom në profesion dhe ushtronte në Serbi aktivitetin e biznesit të herbicideve, lëndë kimike që luftojnë parazitët në bimësinë e gjelbër. Ai thotë për "Shekulli"-n se ishte hera e parë që vinte në Shqipëri dhe se qyteti i Durrësit dhe plazhi i tij i kishin pëlqyer shume. Ai shtoi se ruante konsideratë edhe për pritjen që i kishin rezervuar në Drejtorinë e Policisë së këtij qyteti dhe përpjekjet që kishin bërë për ta ndihmuar, si dhe për të identifikuar personin që i kishte vjedhur. Pas vjedhjes që iu është bërë, ai ishte i detyruar që t'i ndërpriste pushimet që kishte planifikuar në Durrës dhe të kthehej në vendin e vet.