Vjen Sorrentino e Zalenka
Festivali Veror i Durrësit konfirmon ardhjen e regjisorit italian, Paolo Sorrentino, për premierën e "Il Divo". Aktorja rumune Maia Morgentstern, e familjarizuar pak me publikun shqiptar të teatrit, prezanton filmin e Çmimit Oscar "Slumdog Millionare", sonte në orën 20.30, në amfiteatrin romak të Durrësit
Sado filma të mirë t'i shfaqësh publikut të gjerë shqiptar, e vështirë ta bësh kinemanë temë diskutimi pa protagonistë të saj. Zakonisht, këta i bëjnë festa festivalet. Në këtë drejtim ka hedhur edhe një hap përpara edicioni i dytë i Festivalit Veror Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, 22-29 gusht. Organizatorët kanë konfirmuar të tjerë të ftuar. Nëse nuk do të ketë surpriza, atëherë janë vërtet raste që nuk duhen humbur për të komunikuar me këta artistë dhe filmat e tyre që vijnë premierë në Shqipëri.
Dihet tashmë se ceremonia e hapjes bëhet me "Slumdog Millionaire", i regjisorit britanik Danny Boyle, fitues i Çmimit Oscar 2009. Filmi është konsumuar deri diku nga publiku ynë, sepse është shfaqur në kinema në pranverë. Sonte, në orën 20.30 bëhet prezantimi i tij nga aktorja rumune Maia Morgenstern, e cila nuk ka asnjë lidhje me veprën në fjalë. Ajo vjen për një natë në Shqipëri dhe këtë ndoshta për shijen që i ka lënë vizita e parë në këtë vend disa muaj përpara, me rastin e bashkëprodhimit ballkanik për teatër të legjendës së vëllait të vdekur, "Kostandini dhe Doruntina". Aktorja pati një performancë të shkëlqyer përbri Margarita Xhepës.
Organizatorët konfirmuan dy ditë përpara se kanë pranuar ftesën regjisorët Peter Zalenka dhe Paolo Sorrentino. I pari konkurron në programin "Vizione bashkëkohore" me fillmin "Karamazovët", i vlerësuar Filmi më i Mirë në "Czech Lion Awards".
Lajm i mirë është që më 27 gusht do të jetë në Shqipëri Sorrentino. Filmi i tij "Il Divo", që së bashku me "Gomorra" të Matteo Garrones përbënë ngjarje për kinemanë italiane e përtej saj, të dy këta, shfaqen në programin "Takime të ngushta". Ky program i kushtohet kinemasë së një vendi të caktuar. Këtë vit është kinemaja italiane me dy filma të vlerësuar botërisht dhe një të tretë, "Autobusi i natës", i Davide Marengo.
"Il Divo" shfaqet premierë absolute në Shqipëri dhe mbyll natën e çmimeve "Gladiator" të festivalit. Regjisori napolitan do të jetë dy ditë para prezantimit të filmit që i dha fillimisht në Kanë, më 2008-ën, Çmimin e Jurisë dhe më pas famën ndërkombëtare. Ai e nisi karrierën 11 vjet të shkuara si skenarist me "Pluhuri Napolit", pastaj me filma të shkurtër, si "Dashuria nuk ka kufij" (1998), "Nata e gjatë" (2001). Filmi "Pasojat e një dashurie" spikati stilin e Sorrentinos dhe prirjen e tij për t'u fokusuar në tema që kanë të bëjnë me tradita, personazhe dhe rutina të kalcifikuar që nuk kanë rrugë tjetër veçse të ndryshojnë.
Ndjekin suksesin e kësaj vepre edhe "Miku i familjes" për të ardhur tek "Divi", e cilësuar si një "kryevepër makabër" (The Guardian), kurse autori i saj, si regjisori që "do të shpëtojë botën e kinemasë (NYT). "Il Divo" është vepra e tij e parë që është shfaqur në kinematë amerikane dhe kritika i kushtoi vëmendjen maksimale. New York Times shkruante se "ky dyzetvjeçar, që para "Divit" ka bërë disa filma vërtet ngacmues për nga stili, do të jetë autor i madh ndërkombëtar i së ardhmes."
Paolo Sorrentino ka pohuar influencat e tij nga estetë italianë të kinemasë, si Michelangelo Antonioni, Bernardo Bertolucci dhe Federico Fellini, po edhe nga regjisorë amerikanë, si Martin Scorsese, Spike Lee, Stanley Kubrick dhe vëllezërit Coen. Por, "Il Divo", një film i pamëshirshëm për pushtetin, një film gjoja biografik për legjendën e politikës italiane, shtatë herë Kryeministër, Xhulio Andreoti, është i veçantë sepse tejkalon parashikimet e një filmi standard për figurën e një politikani.
Ashtu si edhe tek "Pasojat e dashurisë", ai ka për protagonist aktorin Toni Servillon në rolin a Andreotit. Aktualisht, Sorrentino është duke punuar për filmin "Ti prendo e ti porto via", ndërsa debutimi i tij me një film anglishtfolës "This Must Be The Place," me protagonist Sean Penn, pritet të dalë me 2010-ën.
Publiku i Festivalit Veror Ndërkombëtar në Durrës ka për të parë nga ky program kushtuar kinemasë italiane një profil më të plotë të aktorit Servillos, sepse ai është protagonist edhe tek "Gomorra" e Garrones. Më së shumti, për këtë rol ai u vlerësua nga Akademia Evropiane e Filmit aktori më i mirë evropian për vitin 2008.
18 filmat në konkurrim, të ndarë në seksionet "Vizionet bashkëkohore" dhe "Botë ballkanike", vlerësohen nga dy juri. Juria qendrore përbëhet nga Rik Vemeulen, Mira Staleva, Gjergj Xhuvani dhe Denis Mujovic. Kjo juri jep çmimet Golden Gladiator për Filmin më të mirë, Çmimi i Jurisë, Regjisori më i mirë, Filmi më i mirë Ballkanik, Aktori më i mirë, Aktorja më e mirë. Jepet edhe një Gladiator i Artë - Çmimi i Karrierës.
Kurse juria e kritikës jep Çmimi i Kritikës së Filmit. Përbëhet nga Deborah Young, Ben Andoni dhe Milena Selimi.
Gjatë ditës së djeshme, organziatorët (Bashkia e Durrësit) kishin akoma shumë punë.
Në amfiteatër po ngrihej ekrani, ndërsa para teatrit "Aleksandër Moisiu" po shtrohej tapeti i kuq dhe ishte nxjerrë rekuizita e vjetshme, 2 imitacionet e statujave të gladiatorit të lyera me varak të verdhë, simboli i festivalit. Sa për frekuentimin, ai do të jetë falas.
Akoma herët të shesësh art tek ne.
Programi:
Sot 22/08/09
Amfiteatër romak
20:30 - Ceremonia e hapjes
21:00 - Projeksion, "Slumdog Millionaire" nga Danny Boyle (Angli) 2008, 120 min.
Nesër 23/08/09
Teatri "Aleksandër Moisiu"
10:00 - "Ama dorën" Ismet Sijarina, Kosovë, 2009, 100 min. (jashtë konkurrimit)
12:00 - "Të lumtur së bashku" Enthoven Geoffrey, Belgjikë, 2008, 93 min. (Vizione bashkëkohore)
18:00 - "Rruzarja e gabuar" Mahmut Fazil Coskun, Turqi, 2009, 90 min. (Botë ballkanike)
20:00 - "Pa krahë" Ivo Trajkov, Çeki/Maqedoni, 2009, 90 min. (Botë ballkanike)
22:00 - "Të zinjtë" Goran Devic&Zvonimir Juric, Kroaci, 2009, 75 min. (Botë ballkanike)
Amfiteatri romak
21:00 - "Të lumtur së bashku" E.Geoffrey
23:00 - "Rruzarja e gabuar" M.F. Coskun
Premiera nga Kosova
"Ama dorën", e regjisorit kosovar, Ismet Sijarina, një film bazuar në një histori të vërtetë mbi një të ri kosovar abuzues droge. Besi, një djalë i ri, i cili duke u përpjekur të tregohet burrë dhe t'i lënë përshtypje të dashurës, merr një drejtim të gabuar dhe hyn në një botë që dalëngadalë zbulohet të jetë bota e errët e dhimbjes dhe e vdekjes, teksa dikur ishte menduar si bota e gëzimit. Realiteti i Prishtinës është shumë më i hidhur dhe i errët sesa ai që duan të besojnë vetë qytetarët e saj. Ky film e sjell këtë realitet të gjallë.