I shpallur në kërkim për kanosje, arrestohet 37-vjeçari nga Durrësi

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Një shtetas 37-vjeçar u arrestua nga forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë së Durrësitt, pasi 2 javë më parë kanosi një shtetas dhe i mori automjetin, sepse pretendonte se i kishte borxh një shumë parash.
Sipas policisë, gjatë operacionit të koduar “Debt” u vu në pranga shtetasi E. V., 37 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se më datë 17 janar të këtij viti, me anë të kanosjes dhe shtrëngimit, i ka marrë automjetin një shtetasi, sepse pretendonte se ky i fundit i kishte borxh 1200 euro.
Më tej, nga kontrolli në banesën e 37-vjeçarit, u gjetën doza të lëndës narkotike kanabis sativa të gatshme për shitje, sende nëpërmjet të cilave ndaheshin dozat dhe një sasi fishekësh kallashnikovi.
Aksioni për kapjen e 37-vjeçarit u realizua nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
/k.s/j.p/