Dosja “Partizani”, shtyhet seanca paraprake për Sali Berishën

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Seanca paraprake në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha lidhur me dosjen “Partizani” u shty për në datën 5 shkurt.
Ndërkohë, në seancën e sotme përfundoi mbrojtja e avokatëve të Jamambër Malltëzit, që ndodhet nën arrest shtëpie.
Po ashtu, seanca vijoi me mbrojtjen e biznesmenit Fatmir Bektashit, dhe dy të akuzuarve të tjerë, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.
Argumentet e tyre u lexuan edhe nga avokatët e dy shoqërive Homeplan shkp dhe Kontakt shpk.
Të pandehurit Berisha dhe Malltezi, nuk ishin të pranishëm në seancë, por përfaqësoheshin nga avokatët e tyre mbrojtës.
Në një prononcim për mediet, avokati Genc Gjokutaj tha se nga avokatët e Jamarbër Malltezit u denoncua prapavija politike e këtij procesi.
“U denoncua prapavija politike e këtij procesi, se Malltezin e akuzojnë në bashkëpunim me Sali Berishën për korrupsion të zyrtarëve të lartë, ndërkohë që ai nuk ka qenë asnjëherë zyrtar i lartë dhe nuk është subjekt i kësaj çështje”, tha Gjokutaj.
“Për shkak të faktit penal, avokati kërkoi pushimin e gjykimit, në alternativë, nëse gjykata nuk bindet kërkoi kthimin për t’i vendosur SPAK-ut detyra specifike ndër të cilat është detyra bazë, thirrja e Edi Ramës në SPAK, për t’u pyetur në lidhje me transformimin e asaj prone, nga klub sportiv në truall ndërtimi dhe të gjitha veprimet të kryera ndaj tij. Ato ndodhen në dosje, por nuk përmenden nga prokurori me autorësinë e kryeministrit”, theksoi Gjokutaj.
Berisha, Malltezi dhe të akuzuarit e tjerë janë në hetim nga SPAK në lidhje me çështjen e ish-kompleksit “Partizani”.
Në fund të viti të kaluar, Gjykata e Apelit konfirmoi zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest shtëpie” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, gjithsesi, paralajmëroi se nëse Berisha nuk respekton këtë masë, organi i akuzës mund të kërkojë një masë sigurimi më të rëndë. /j.p/