E Shtunë, 31 Tetor 2026

I trazon Plani

Arrestimi në Zubin Potok i Jevro Pantelicit, i dyshuar për përfshirje në krim të organizuar, ka trazuar strukturat paralele në Veri. Ministri Bajram Rexhepi e vlerësoi këtë veprim si hap pozitiv, kurse Shefi i EULEX’it tha se kjo është bërë në bashkëpunim edhe me KFOR-in. Plani i Policisë për Veriun ka nisur të zbatohet. Nga Nexhmije Ahmeti më 18 maj 2011 në ora 08:13

Bajram Rexhepi, të martën në mëngjes mund te jetë zgjuar pak më i relaksuar se ditëve të tjera. Arrestimin e një serbi në Zubin Potok nga misioni evropian, ministri i Punëve të Brendshme e shikon si sukses të tij.

Sigurisht, gjatë vizitës që së bashku me Xavier de Marnackun, shef i EULEX’it dhe kreun e Policisë së Kosovës, Reshat Maliqin, që i bënë pikës kufitare në Merdar, Rexhepi tha se me kritikat e tij, ka dashur ta ngacmojë Misionin Evropian që të punojë më mirë. E këto kritika duket se kanë pasur efektet e para.

Policia e EULEX-it të martën herët, arrestoi një serb në Zubin Potok. Jevro Pantelic dyshohet se është përfshirë në krim të organizuar, pastrim parash, kontrabandë me karburante, shmangie tatimi dhe mashtrimit me taksa të importit dhe të akcizës. Kështu së paku ka njoftuar EULEX-i nëpërmjet një komunikate për media.

“Pas autorizimit nga një gjykatës i procedurës paraprake, është bërë edhe bastisja e shtëpisë së të dyshuarit në Zubin Potok. Për sigurinë e përgjithshme gjatë operacionit është përkujdesur KFOR-i”, sqaroi EULEX’i.

Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit deklaron se arrestimi është vazhdimësi e operacionit për fuqizimin e ligjit të nisur më 15 shkurt të këtij viti. Në këtë datë, policia ka arrestuar tre persona që dyshoheshin se kanë kryer evazion fiskal, trafikim mallrash dhe shmangie të pagesave doganore. Shefi i EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac, gjatë vizitës në Merdar, tha se për këtë arrestim ka pasur kërkesë nga gjyqtari.

“Kjo është çështje e gjyqtarit, por mund të them se është vazhdimësi e punës së EULEX-it për të luftuar krimin e organizuar në tërë Kosovën”, tha de Marnhac. Edhe pse në aksionin e së martës nuk ka asistuar policia e Kosovës, francezi De Marnhac tha se janë në Kosovë për të bashkëpunuar dhe për të ndihmuar. Në njëfarë mënyre, ai komentoi edhe deklaratat e Rexhepit se do të vazhdojë ta kritikojë EULEX-in nëse nuk punon mirë.

“Ne jemi këtu që t’i mbështesim institucionet e Kosovës dhe po e bëjmë këtë. Nuk janë vetëm deklarata për media apo vetëm fjalë, por ne kemi policë, gjyqtarë dhe prokurorë që punojnë ngushtë me gjyqtarët dhe prokurorët lokalë”, tha de Marnhac.

E ministri i Punëve të Brendshme tha se kritikat e tij ndaj EULEX-it i ka bërë me qëllim që të punojnë më mirë. “Unë mendoj se edhe EULEX-i nuk është kundër nëse ato kritika janë orientuar që të performojnë më mirë se edhe këta janë të interesuar që të dalin si mision i suksesshëm. Unë e kam përmendur edhe më herët dhe kisha dëshiruar që EULEX-i të jetë me të vërtetë mision i suksesshëm dhe jo si UNMIK-u”, tha Rexhepi për media.

Ditë më parë, ministri Rexhepi ka adresuar kritika ndaj misionit evropian për mosveprimet e tyre, sidomos në veri të vendit. Ishte ministri Rexhepi ai që kishte kërkuar nga Policia e Kosovës dhe ajo evropiane një plan konkret për Veriun, e që përveç ndërrimit të pozitave të komandantëve të policisë, cak është edhe goditja e grupeve kriminale.

Express raportoi për këtë plan që nisi të hënën me ndryshimin e pozitave të shefave të policisë, e të martën rezultoi me një arrestim. Ndaj këtyre aksioneve, ka pasur reagime si në Serbi, e po ashtu nga serbët e komunave veriore të Kosovës. Por ministri Rexhepi tha se ndryshimet nuk janë duke u bërë vetëm në Veri, por edhe në krejt Kosovën. “Ata duhet të respektojnë zinxhirin komandues dhe këto lëvizjet e vendeve të punës. Këto freskime krijojnë rezultate më të mira”, tha Bajram Rexhepi.

Ndërkohë, kryetari paralel i Komunës së Zubin Potokut, Slavisha Ristic tha se nëse është e vërtetë se Jevro Pantelic është arrestuar për shmangie të tatimit, atëherë kjo është e papranueshme. “Për ne, kriminelë janë ata të cilët shesin drogë e armë dhe kërcënojnë sigurinë, ndërsa të tillë në Kollashinin e Ibrit nuk ka”, tha Ristic, duke shtuar se për serbët është e papranueshme t’i paguajnë tatim shtetit të Kosovës.

Sipas tij, që nga viti 2008, është marrë qëndrim unik i qeverisjes lokale të komunave veriore, që taksat të mos i paguhen shtetit, të cilin pushteti i Beogradit nuk e ka pranuar. “Aksione të tilla të EULEX-it dhe KFOR-it kanë për qëllim t’i detyrojnë serbët të pranojnë Kosovën si shtet të pavarur, dhe nëse vazhdohet kështu, mund të ndodhë që një ditë të na i arrestojnë edhe fshatarët nëpër arat e tyre për mospagesë të tatimit të bujqësisë”, ka thënë Ristic.

Po ashtu, Ristic ka reaguar edhe ndaj ndryshimit të pozitave të komandantëve të stacioneve të policisë në Veri. Ai tha se në këtë komunë nuk do të kryhet asnjë vendim i institucioneve të Prishtinës. “Ne jemi që edhe EULEX-i të jetë në dijeni për këtë, në mënyrë që çfarëdo ndryshimi të arrihet, vetëm me pëlqimin e Kuvendit Komunal”, ka thënë Ristic.

Kundër këtyre ndryshimeve nga ana e Policisë së Kosovës është shprehur edhe i ashtuquajturi ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic. Për Serbinë, është plotësisht e papranueshme ndërrimi i komandantëve të stacioneve policore në veri të Kosovës, pa pëlqimin e bashkësive lokale, ka thënë për mediat serbe Bogdanovic.

Edhe të ashtuquajturit kryetarë të komunave serbe në veri të Kosovës kanë hedhur poshtë vendimin e drejtorit të Policisë, Reshat Maliqi, për rotacionin e komandantëve të stacioneve policore në Veri, të populluara kryesisht me serbë.

Kthimi i gjyqtarëve në Veri

Ministri Bajram Rexhepi tha se nëse EULEX-i nuk ka vullnet t’i kthejë gjyqtarët dhe prokurorët në Veri, këtë do ta bëjnë vetë. Ai tha se institucionet e Kosovës janë të gatshme që ta bëjnë sigurimin e njerëzve dhe objektit. Por Rexhepi megjithatë tha se një gjë të tillë do të donte ta bënin së bashku me EULEX-in. Në anën tjetër, shefi i EULEX-it tha se javën e ardhshme do të udhëtojë për në Beograd, ku do të diskutojë edhe për këtë çështje.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›