Lipjani, shpejt me universitet
Nga Express më 17 maj 2011 në ora 20:15
Ambasada e Turqisë në Prishtinë dhe Komuna e Lipjanit prezantuan të martën projektin e përbashkët për ndërtimin e një universiteti turk në këtë komunë.
Ndonëse kostoja e saktë nuk dihet ende, mendohet se projekti do të kushtojë 100 milionë euro.
“Në kuadër të projektit për ndërtimin e universitetit turk, kam shprehur dëshirën ta shoh lokacionin që është rezervuar nga Komuna e Lipjanit, për universitet dhe mu për këtë arsye jam këtu”, ka thënë ambasadorja turke Songul Ozan, pas takimit me kryetarin e Lipjanit, Shukri Buja.
Buja, ndërkaq, ka thënë se universiteti do të ndërtohet në lokacionin që është zonë kadastrale e Kraishtës, afër me aeroportin.
Për ndërtimin e tij, Komuna do të ofrojë rreth 400 hektarë tokë.