Rifillon vendosja e stenteve në zemër
Në Njësinë e Kardiologjisë Invazive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës pas një vit stagnimi ka rifilluar vendosja e stenteve në zemër tek pacientët. Vetëm në tri javët e fundit janë bërë rreth 80-të koronorografi, ndërsa janë vendosur 9 stente.
U. d. i shefit të Repartit të Kardiologjisë Invazive, Basri Sejdiu ka thënë se fal ndihmës, përkrahjes dhe organizimit të mirë të punës që ka bërë u.d i drejtorit ekzekutiv të QKUK-së, Lulzim Emini, është arritur që në 3 javët e fundit të kryhen 9 stentime, përderisa vitin e kaluar ishin realizuar vetëm 3 sosh, kurse nga ajo kohë më nuk ishin realizuar fare.
“Deri tani nuk janë bërë stentimet, pos atyre triave që patën filluar, ndërsa në tri javët e fundit e kemi rritur numrin e koronorografive dhe stentimeve që në fakt po ta marrim mesataren e katër viteve të kaluara ka qenë diku 200 koronorografi për vit, ndërsa stentime fare nuk ka pas. Në tri javët e fundit me riorganizimin e këtij reparti, numri i procedurave diagnostiko do të thotë i koronorografive në ditë është pesë, nëse llogaritet për tri javët e fundit mbërrin diku 80-të përfshirë dhe 9 stentime. Për tri javë në këtë trend mesataraja e koronorografive do të jetë rreth 1300 koronorografi në vit dhe rreth 300 stentime”, ka thënë Sejdiu duke shtuar se ky numër mund të krahasohet edhe me numrin në rajon.
Ndërsa sqaroi se deri në muajin shtator janë të furnizuar me materialin shpenzues të nevojshme për të kryer këto punë.
Ushtruesi i detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të QKUK-së, Lulzim Emini, lidhur me stagnimin e punës në këtë njësi, tha se ajo çka ka munguar në Kardiologji Invazive ka qenë mungesa e organizimit të mirë të punës.
Ai po ashtu potencoi se tani Reparti i Kardiologjisë Invazive është nën menaxhim të njerëzve që janë të përgatitur profesionalisht dhe të gatshëm t’u përgjigjen sfidave.
“Në fillim ne nuk kemi dashtë që të promovojmë stenti i parë, pas një viti stenti i dytë, po kemi dashur që të bëhet një numër i pacientëve, të kryhet një numër i tyre i konsiderueshëm. Vetëm javën e kaluar, në fund të javës që shkoi dhe të javës paraprake janë bërë 9 stentime krahasuar me vitet e mëhershme që është fol jashtëzakonisht shumë dhe që janë bërë vetëm tri”, ka thënë Emini.
Sipas tij, deri tani në mungesë të këtij shërbimi, pacientët kanë bredhur nëpër klinikat private, kurse funksionalizimi i këtij shërbimi do të jetë lajm i mirë për pacientët.
Një gjë të tillë e pohoi edhe pacienti nga qyteti i Ferizajt, Anton Demaj, i cili një vit më parë kishte bërë vendosjen e stentes në zemër në një klinikë private dhe i kishte kushtuar me mijëra euro.
“Kam bërë koronorografinë para vitit të ri, në muajin nëntor dhe më kanë thënë se kam nevojë për stentë, e tjetrën do ta mjekojmë, por nuk kemi stenta dhe duhesh me prit. Kam shkuar sipas këshillave të tyre, kam përdor medikamente, s’kam ndier lodhje, e në javën e kaluar më lajmëruan mjekët. Këtu jo, e atje një stentë më ka kushtuar 4 mijë euro”, është shprehur Demaj.
Ekipi i mjekëve që punojnë në Kardiologji Invazive përbëhet nga 7 mjekë dhe 8 teknikë të profilizuar dhe trajnuar jashtë vendit. Deri më tani në mos kryerjen e tentimit në QKUK, pacientët janë detyruar që këto ndërhyrje t’i kryejnë në shërbimin privat, kurse kjo ka qenë shumë e shtrenjtë për xhepin e tyre. /kosovapress/