I tutin investitorët

Ligji për pensionet në Kosovë nuk lejon që në vendin tonë të investohen më shumë se pesë për qind e totalit të parave të Trustit. Ky ligj është përpiluar para 8 vitesh dhe ende mbetet në fuqi. Njëkohësisht po krijon shumë probleme dhe nuk po lejon që të investohen në Kosovë më shumë se 20 milionë, prej 400 milionë eurosh sa janë në portfolion e këtij institucioni.
Aktualisht mbi 100 milionë euro janë mbledhur në llogarinë rrjedhëse të Trustit në BQK, të mbledhura nga pagat e punonjësve kosovarë.
Në anën tjetër, bankat komerciale në Kosovë tash sa kohë kanë kërkuar nga Trusti që t`i marrin këto para dhe t`i fusin në tregun kosovar. Bordi i Trustit, në krye me Besim Beqajn, s`kanë haber se çfarë duhet të bëjnë me këto 100 milionë euro të cilat nuk po investohen askund.
Deputeti dhe ekonomisti Driton Tali thotë se kjo është një punë fort e keqe, së cilës drejtuesit e këtyre institucioneve s`po dinë t`ia lidhin kryet.
Ai deklaroi se qeveria aktuale ka ardhur në pushtet me njërën prej këtyre ofertave duke premtuar se do t`i investojë këto para në Kosovë dhe këtë do të duhej ta bëjnë deri tash.
Tali habitet se si mund të bazohen në atë ligj për rrezikun në tregun kosovar në këtë kohë.
“Si mundet Qeveria të thërrasë investitorë të huaj gjatë krejt kohës të vijnë në Kosovë, e në anën tjetër të mos guxojë t`i investojë paratë e veta në tregun tonë”, tha Tali.
Krejt kjo punë, sipas tij, mund të rregullohet sipas nenit 6, në Ligjin e pensioneve, ku i jep të drejtë një komisioni të veçantë për këtë punë, i cili drejtohet nga ministri Ahmet Shala, të ndërrojë këto ligje diskriminuese për tregun kosovar.
Në anën tjetër, guvernatori Hashim Rexhepi tha se po punohet në ndërrimin e këtij ligji që nuk lejon investime më shumë se pesë për qind të totalit të parave të Trustit.
“Ne jemi duke rishikuar këtë ligj dhe kemi draftin e parë të përpiluar për ndryshimin e këtij ligji nga Banka Botërore dhe besoj se do të rregullohet shpejt kjo”, tha guvernatori Rexhepi. Edhe vetë Rexhepi beson se janë pjekur kushtet për ndryshimin e disa ligjeve të cilat janë bërë në një kohë dhe situatë tjetër.
“Nuk besoj se tregu kosovar është sikur në gjendjen kur është krijuar ligji, por kjo mbetet të shihet dhe të analizohet”. Pavarësisht vendimeve të Trustit, tha ai, aktualisht investimet nuk mund të bëhen në Kosovë jashtë kornizave të përcaktuara me ligj.
Aktualisht janë investuar vetëm 15 milionë euro para të Trustit në Kosovë përmes dy bankave kryesore në Kosovë. Përmes tenderit, 10 milionë euro më herët janë depozituar në Raiffaisen Bank dhe pesë milionë euro të tjera në ProCredit Bank.
Paratë e Trustit lejohet të investohen në tregjet monetare, duke përfshirë llogaritë dhe depozitat në bankat e licencuara, në letra me vlerë që emeton Qeveria e Kosovës dhe në ato të ndërmarrjeve. Mirëpo, në vendin tonë mund të aplikohet vetëm forma e parë, investimi në banka, madje në shuma të kufizuara.