I vetmi rrogëtar i teatrit nga Prizreni

I like America and America Likes Me nga Joseph Beuys I like America and America Likes Me nga Joseph Beuys
Elsa Demo
Evokimi i luftës për çlirimin e Kosovës nga kauza të ngjashme të çdo kohe, përbën një fenomen të përligjur për skenën e teatrit në Kosovë. Këtë pohon edhe në intervistë drejtori më ri i një teatri bashkiak nga Kosova. Fetah Paçarrizi, që nuk e ka bërë akoma vitin në krye të Teatrit Profesionist të Prizrenit, lë të kuptojë se arsyet e jashtme orientuan që premiera e fundvitit 2011, me ato pak para sa jep bashkia e qytetit, të jetë Monserati i Emmanuel Robblès. Drama me tri akte e shfaqur premierë më 1948, njëherësh në Paris e Algjer (Robblès vinte nga Algjeria), çon në Venezuelë 1812 ku lufton Bolivari. Ndërsa në skenë përplasen personazhet, Monserati (në rol Alban Krasniqi) dhe Iskierdo (Gëzim Rudi) dy ushtarakë pushtues spanjollë që mbajnë qëndrime të kundërta ndaj vendasve. Vepra është vënë në skenë nga pedagogu i Akademisë së Arteve në Tiranë Roland Roshi. Ajo hapi mbrëmë Muajin e Kulturës Shqipëri-Kosovë në Teatrin Kombëtar. Shfaqet përsëri sonte, ora 19.00.
Pak orë para premierës, bëmë një bisedë me drejtuesin e Teatrit Profesionist të Prizrenit, Fetah Paçarrizi i cili shpjegon se si funksionon ky teatër pa administratë dhe pa trupë rrogëtarësh.
Prej sa kohësh e drejtoni Teatrin Profesionist të Prizrenit?
Në krye të teatrit kam ardhur si drejtor ose më saktë të them si menaxher, në qershor 2011. Monserati është prodhimi i parë teatral që kam drejtuar për këtë teatër.
Si funksion?
Si teatër profesional është themeluar ligjërisht në vitin 2007. Shfaqja e parë njihet Im at donte Adolfin e Mehmet Krajës. Ne nuk jemi teatër rezident, nuk ka një trupë klasike fikse e as prapavijë. Kështu është përcaktuar me ligj. I punësuar jam vetëm unë që marr rrogë prej Drejtorisë së Kulturës në Prizren. Realizimi i projekteve funksionon mbi kontrata 1-vjeçare. Ka trupa si Teatri Kombëtar i Prishtinës që ligji e trajton ndryshe, dhe teatro që kanë një staf minimal, një jurist, një financiar, një menaxher, pjesa tjetër janë në gjendjen tonë. Siç e thashë, funksionojmë me kontratë për vepër.
Si zgjidhen pjesët? Kush vendos?
Ka një grup pune artistësh që vendosin për projektin, regjisorin dhe kjo platformë dërgohet për shqyrtim në Drejtorinë e Kulturës në Prizren. Ne nuk kemi një buxhet fiks, ai varet nga përmasat e projektit. Realizimi i shfaqjes fillon me audicionin për aktorët.
Me sa parë është prodhuar Monserati?
Kostoja e përgjithshme për Monseratin është diku te 48 mijë euro. Quhet buxhet i madh sepse trupa është e konsiderueshme, me rreth 32 aktorë në skenë. Ndërkohë që bashkia nuk ka dhënë akoma as 30 përqindëshin e kësaj vlere. Jemi munduar ta zgjidhim këtë punë me alternative të financimit nga sponsorë. Më është dashur mua si drejtues i institucionit të gjej sponsorë gjë që për teatrin është mjaft e vështirë. Ti iu paraqet bizneseve një platformë marketingu që teatri duhet të përmbushë. Kemi ardhur në njëfarë mirëkuptimi.
Çfarë rezultati ka? I favorizon ligji bizneset që mbështesin artin?
Ndjeshmëria është e zbehtë. Janë shumë elemente që ndikojnë. Më së pari mungon vetëdijesimi, që sështë vetëm në drejtim të kulturës dhe arteve. Po ju marr shembullin e ujit. Ujin që është jetë ne e pijmë dhe nuk e paguajmë. Është punë e ndërgjegjësimit të njerëzve po aq sa e atyre që ushtrojnë pushtetin në nivelet e larta të qeverisjes e të dikastereve ministrore. Është një situatë që në fund të fundit, ka për qëllim të tërheqë publikun pranë teatrit.
Sa herë shfaqet një produksion, sa publik ka mesatarisht?
Që nga premiera në fund të vitit të kaluar, Monsetari është shfaqur pesë herë dhe salla e teatrit tonë që ka rreth 350 vende, ka qenë plot.
Unë e njoh publikun e Shqipërisë. Kam kryer studimet për dramë këtu 2002-2006 dhe kam eksperiencë të jashtëzakonshme me Tiranën. Kam qenë në turne në shumë qytete të Shqipërisë… Publiku i Prizrenit është fantastik. Është aq i qetë e butë, nuk dëgjon asnjë ofshamë, veçse kur njeriu merr frymë. Kjo të bën përgjegjës për tiu ofruar atyre diçka të mirë, diçka të mirë për qytetarët, sepse publikun nuk e gënjen dot gjithmonë.
Modeli i teatrove shtetërore po të pavarur është dashur të aplikohet disa herë në Shqipëri por përpjekja ka dështuar. Teatrot e bashkive në rrethe vegjetojnë prej kohësh.
Sepse është e prirur për të dështuar në kushtet tuaja. Realisht, për të pasur shfaqje të mira, është mirë që të veprohet mbi projektet kontraktuale, sepse trupa duhet ngritur mbi bazën e aftësive të aktorëve. Në një audicion regjisori zgjedh atë që është më i miri. Në një teatër rezident, regjisori do sdo, është i detyruar të marrë ata aktorë që janë të trupës e që paguhen me rrogë mujore. Të dyja modelet paraqesin probleme të natyrës financiare.
Financat e kufizuara, shtysa të jashtme politike e jo politike, të gjitha e rrudhin mundësinë për të bërë teatër të lirë. Është Monserati zgjedhje për kompromis me rrethanat?
Afishja e shfaqjes sonë përfaqësohet nga një tablo e Goya-s për Masakrën e Madridit. Kemi parë të arsyeshme që një dekadë mbas luftës për çlirimin e Kosovës të pohojmë se e kaluara që të mos përsëritet nuk duhet harruar. Është një gjë: sado bota të ecë përpara, janë ato konfliktet brenda qenies njerëzore që nuk ndalen kurrë. Nuk jam pesimist, por luftërat kurrë do nuk ndalen. Derisa ka luftë midis dy individëve, ka luftë edhe mes pesë individëve, dy shteteve e më gjerë.
Mund të rendis edhe arsyet ekonomike pse e zgjodhëm Monseratin. Plot 12 aktorë që janë karaktere, e me gjithë figurantët e prapavijën, numri i të angazhuarve për këtë projekt është mbi 30. Po, kemi parë edhe anën ekonomike, që këta njerëz që kanë mbaruar shkollën e arteve, qoftë në Tiranë a në Prishtinë dhe që jetojnë në Prizren, të kenë mundësi punësimi e të shprehin veten.
Regjisori, pse nga Tirana?
Monserati është luajtur në skenën e Teatrit Popullor, mos gaboj në vitin 1986. Regjisura në Shqipëri, – kjo është përshtypja ime, – përjashtoj ata përpiqen të ndjekin metoda bashkëkohore në teatër, trajtohet brenda një skeme klasike. Donim një trajtim klasik, e për kushtet tona nuk mund të trajtohej ndryshe kjo vepër.
Çmendoni për zhvillimin e teatrit sot në Kosovë?
Situatën e shoh mes dy ekstremeve. Ndonjëherë ka prurje aq të mira sa edhe prurje që nuk shihen. Nuk është se mungojnë talentet, por që këto energji individuale të evidentohen duhen organizuar e bashkuar, që të bëhet diçka e mirë. Ndjej që teatri në Kosovë ka mundësi të bëjë shumë gjëra më të mira.