Hajdutët grabisin shtëpinë e ministrit Spiro Ksera
Shifrat e vjedhjeve në vendin tonë kanë arritur nivele tepër të larta aq sa nuk po kursehen më as politikanët e lartë. Pas rasteve të grabitjes së ministrit të Kulturës, Aldo Bumçi apo deputetit të PS-së, Eduart Shalsi, dje grabitësit kanë hyrë në shtëpinë e Ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera. Por ndryshe nga rastet kur vjedhjet kalojnë pa u vënë re, dje policia arrestoi një person të dyshuar si pjesëtar i një grupi grabitësish ndërsa shpalli në kërkim edhe dy persona të tjerë të dyshuar si autorë të vjedhjes së banesave. Arbër Shyqyrukaj, 24 vjeç, banues në kryeqytet, u arrestua nga policia e krimeve e komisariatit nr.3, me akuzën e vjedhjes në bashkëpunim dhe të vjedhjes me thyerje. Lajmi u bë i ditur për Shekullin, nga burime të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, të cilët thanë se vjedhja ka ndodhur me 31 janar të këtij viti, kur Shyqerukaj, 24 vjeç, banues në Tiranë bashkë me dy persona të tjerë hynë në banesën e Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanceve të Barabarta. Ata kanë hyrë në banesën e Kserës nëpërmjet thyerjes dhe më pas kanë mundur të marrin një sasi të konsiderueshme parash si dhe një sasi të konsiderueshme sendesh personale të ministrit.
Bashkë me to, tre të dyshuarit mësohet se kanë marrë edhe objekte të ndryshme me vlerë, duke i shkaktuar familjes Ksera një dëm të konsiderueshëm. Kur pjesëtarët e familjes së ministrit mbërritën në banesë vunë re se shtëpia ishte një rrëmujë në shtëpi. Menjëherë pas këtij konstatimi, është njoftuar Ksera, ndërsa në banesën e këtij të fundit mbërritën, drejtues të policisë së Tiranës si dhe oficerë të hetimit të krimeve të komisariatit nr.3. Një grup ekspertësh kriminalistë kryen këqyrjen e banesës dhe objekteve të mundshme ku mund të gjendeshin gjurmë dhe nisën hetimet. Më tepër se një javë pas ngjarjes policia gjeti prova për një prej të dyshuarve ndërsa hetimet zbuluan edhe dy bashkëpunëtorët e tjerë të dyshuar në këtë krim. Pas hetimit të kryer, policia dokumentoi autorësinë e krimit. Dje agjentët e hetimit të krimeve të komisariatit nr.3, ndaluan të dyshuarin kryesor, Arbër Shyqerukajn.
Aldo Bumçi
Më 21 dhjetor të vitit të shkuar, përpara Ministrisë së Kulturës persona të paidentifikuar kanë grabitur makinën e kreut të kësaj ministrie, Aldo Bumçi. Automjeti model AUDI tip A6 është parë për herë të fundit nga forcat e rendit në zonën e Gjirit të Lalëzit, por makina ka mundur ti shpëtojë ndjekjes së policisë.
Eduart Shalsi
Më 19 tetor, në rrugën Mine Peza është grabitur makina e nënkryetarit të grupit të PS-së, Eduart Shalsi, gjatë kohës kur ndaloi në një dyqan. Makina është gjendur vetëm pak ditë më pas. Vetë autorët e grabitjes kanë lajmëruar deputetin Shalsi se makina e tij gjendej në afërsi të Lezhës.
