I vodhi 1 milion lekë xhaxhait, arrestohet adoleshenti
Një 19-vjeçar nga Lushnja u prangos në orët e para të mëngjesit të së enjtes nën akuzën e vjedhjes. Burime të policisë lokale bënë me dije se i riu dyshohet të ketë vjedhur në banesën e xhaxhait të tij një shumë të konsiderueshme lekësh. Policia tha se Skerdian Mema, lindur dhe banues në fshatin Barbullinjë të komunës me të njëjtën emër në rrethin e Lushnjës, është arrestuar dje nga agjentët e antikrimit. Po sipas burimeve të policisë lokale, Mema, duke shfrytëzuar mungesën e pjesëtarëve të familjes së xhaxhait, ka hyrë pasditen e së mërkurës në shtëpinë e këtij të fundit dhe ka marrë prej andej shumën prej 1 milionë lekësh. Burimet e policisë thanë gjithashtu se Skerdian Mema ka hyrë nëpërmjet dritares së kuzhinës në shtëpinë e të afërmit. I riu, duke e ditur më së miri edhe vendin ku depozitoheshin kursimet e shtëpisë, ka shkuar në raftin e dhomës së gjumit dhe ka marrë prej andej paratë e vendosura. Më pas ka ndryshuar disa orendi të thjeshta të shtëpisë, me qëllim që të linte përshtypjen se autori kishte kërkuar para se të gjente lekët. Vjedhja është konstatuar në mbrëmje vonë, kur xhaxhai i Memës është kthyer në shtëpi. Menjëherë është njoftuar policia, e cila pas gjetjes së gjurmëve në brendësi të shtëpisë dhe pranë raftit ku ishin lekët para vjedhjes ka hedhur dyshimet te të afërmit. Policia pasi i ka marrë në pyetje familjarët, ka dalë në përfundimin se autori më i mundshëm ishte adoleshenti Skerdian Mema. Ky i fundit nuk e ka pranuar akuzën, ndërkohë që gjurmët e gishtave të tij kanë mbetur nëpër orenditë shtëpiake, pra në vendin e ngjarjes. Ndërkohë, i riu nuk ka treguar asgjë rreth vendit se ku ai kishte fshehur lekët e vjedhura.
#