E Diel, 1 Nëntor 2026

Uji i ndotur, mbyllet ujësjellësi i Otllakut

Berat Drejtoria e Higjienës: është i rrezikshëm për shëndetin

Një urdhër i Drejtorisë të Higjienës në Berat ka bërë ndërprerjen e ujit të pijshëm për dy fshatra të Komunës Otllak. Për të shmangur rrezikun e përhapjes së epidemive në këto ditë të nxehta vere, është urdhëruar ndërprerja e ujit të pijshëm deri në një urdhër të dytë. Burime pranë kësaj drejtorie bëjnë të ditur se prej një jave është konstatuar që uji i pijshëm i fshatrave Otllak dhe Orizaj, pas analizave të kryera në disa kampione ka rezultuar me ndotje të lartë bakteriologjike. Për këtë arsye, prej një jave banorëve u është bërë e ditur të mos e konsumojnë ujin që u shkon në rubinete.

Kryetari i Komunës së Otllakut, Muharrem Hoxha, tha se “menjëherë sapo jemi informuar për këtë problem, kemi njoftuar të gjithë banorët e dy fshatrave, që të mos e konsumojnë këtë ujë për të pirë, por vetëm për shërbime të tjera. Ky problem vjen si rezultat i amortizimit të tubacioneve, që janë shumë të amortizuara dhe nuk janë parashikuar për këto dy fshatra”. Kryekomunari tha se i është bërë kërkesë Ministrisë së Punëve Publike për këtë problem, që projekti për investimin e ujësjellësit të vihet menjëherë në zbatim.

Rrejti aktual nuk është parashikuar për këto dy fshatra, pasi furnizimi me ujë të pijshëm është i pamjaftueshëm. Nga analizat e kryera nga Drejtoria e Higjienës ka rezultuar se uji që konsumojnë këto dy fshatra kanë pasur ndotje të lartë bakteriologjike, pasi me këtë ujë bashkohen dhe ujërat e zeza, çka paraqet rrezikshmëri të lartë epidemish për këta banorë. Nga ky ujësjellës furnizohen me ujë të pijshëm rreth dymijë banorë, të cilët do t’i vuajnë pasojat e mungesës së ujit në këto ditë të nxehta. Nga ana e tyre, banorët ankohen se e kanë të pamundur ta përballojnë financiarisht blerjen e ujit të ambalazhuar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›