200 familje protestojnë kundër OSSH-së
Banorët e dy lagjeve në qytetin e Elbasanit kanë protestuar dje ndaj OSSH-së. Dhjetëra banorë të lagjeve “Shënkoll” dhe “çamëria” kanë zhvilluar në orët e para të mëngjesit të djeshëm një protestë për parregullsitë e shumta që vijnë nga shërbimet e OSSH-së në rrjetin elektrik dhe faturat e pagesave të energjisë elektrike. Një përfaqësi e afro njëmijë banorëve të këtyre lagjeve kërkoi takim me drejtuesit e OSSH-së së Elbasanit, duke paraqitur edhe një peticion të nënshkruar nga mbi 200 kryefamiljarë. Ndër të tjera, në peticion theksohej se tensioni i ulët i energjisë elektrike 110-140 volt ka bërë që të digjen me dhjetëra pajisje elektroshtëpiake dhe sipas tyre OSSH duhet të paguante dëmet ndaj abonentëve familjarë të këtyre dy lagjeve. Gjithashtu janë paraqitur edhe ankesa për fatura të parregullta, që sipas banorëve nuk u referohen matësve të konsumit të energjisë që janë instaluar në banesa. Jo pak nga banorët janë paraqitur me fatura, vlera e të cilave kapte shifrën e 40 mijë lekeve të reja për një abonent familjar. “Ne, edhe sikur të kishim furra buke, kaq shumë nuk do të paguanim”, tha një nga qytetarët në protestë. Një tjetër tha se ishte detyruar të merrte borxh për të paguar faturën, pasi në të kundërt i ndërprisnin furnizimin. Banorët kanë vendosur që, nëse nuk do të ketë zgjidhje të problemit, do të nisin një grevë urie para zyrave të OSSH-së në Elbasan.
#