E Shtunë, 31 Tetor 2026

I vogël, por sherrin e madh

Xherdan Shaqiri tregon se gjithmonë ka qenë i bindur se fakti që është shtatshkurtër nuk do ta pengonte të arrinte në karrierë. 19 vjeçari thotë se kur ka mundur Maradona të ketë sukses me atë trup, pse të mos ketë edhe vetë. Futbollisti i Baselit është i vetëdijshëm për interesimin e klubeve të ndryshme evropiane për të, por shpjegon se po mundohet të jetë i qetë dhe gjakftohtë. Nga Express më 06 shtator 2011 në ora 11:53

Xherdan Shaqiri është i shkurtër me trup, por e ka sherrin e madh. Mesfushori shqiptar nuk e ka aspak kompleks gjatësinë e tij, pasi që thotë se edhe legjenda argjentinase, Diego Armando Maradona, ka qenë i shkurtër, por ka pasur sukses të jashtëzakonshëm.

“Gjatë fëmijërisë sime, kam dëgjuar shumë herë fjalë të tilla. Mirëpo, nuk ua kam vënë shumë veshin atyre. Dëshiroja të shkoja përpara rrugës sime, kjo është ajo që e kam bërë. Trupin tim të shkurtër gjithmonë e kam marrë si një gjë pozitive. Në momentin që Maradona ka pasur sukses, e dija se nuk kishte nevojë absolutisht që të jesh i madh për të arritur diçka në futboll”, deklaroi 19 vjeçari në një intervistë për të përditshmen zvicerane letemps.ch.

Sot është e kundërta. Më nuk tallet askush, por ai është mjaft i respektuar. Po ashtu edhe i kërkuar nga klubet e rëndësishme evropiane. Gjilanasi thotë se mundohet të mbetet i qetë, edhe pse është i vetëdijshëm se u ka rënë në sy klubeve të mëdha.

“Nuk është e lehtë ta menaxhosh situatën kur të gjithë fillojnë të flasin për ju, kur e sheh veten në faqen e parë të gazetës ose kur përmendet emri juaj me atë të Manchester United, për shembull. Por, unë e kam demonstruar se mund të jem i qetë dhe i koncentruar me atë që duhet ta bëj në fushë. Nuk është e lehtë ta mbash gjakftohtësinë. Jam rritur me prindër të thjeshtë, kështu që po mundohem ta ndjek rrugën e tyre dhe të jem modest”, vazhdoi ai.

Momentalisht përfaqësuesi zviceran vlen 8-10 milionë euro. Ai nuk e kishte pritur se do të arrinte deri në këtë ditë. “Kjo është e tëra një çmenduri, natyrisht”, përfundoi Shaqiri. Futbollisti ofanziv pret fitore ndaj Bullgarisë të martën mbrëma (sonte) në kualifikimet për Euro 2012. Ai ka folur edhe për rininë, ëndrrat dhe jetën si një yll i ri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›