E Shtunë, 31 Tetor 2026

E vlefshme vetëm fitorja

Pas humbjes nga Franca, Kombëtarja shqiptare përballë Luksemburgut synim të vetëm ka fitoren. Edhe pse ekipit kuqezi i mungojnë disa lojtarë, trajneri Josip Kuze thotë se të martën do të kërkojë tri pikë. Nga Express më 06 shtator 2011 në ora 11:52

Pas humbjes së hidhur ndaj Francës, ku kuqezinjtë bënë një paraqitje të mirë, shpresat e Shqipërisë për një kualifikim të mundshëm në Euro 2012 janë zbehur dukshëm. Tashmë synimi i ekipit kuqezi është mbledhja e sa më shumë pikëve, të cilat do të ndihmonin në përmirësimin e pozitës në renditjen tabelore në Grupi D.

Shqipëria përpara ka ndeshjen me Luksemburgun, ku objektivi i vetëm i kuqezinjve do të jetë fitorja. Trajneri i përfaqësuese shqiptare, Josip Kuze, nuk u beson parashikimeve për një kundërshtar të lehtë, ndërsa i detyruar nga mungesat e katër lojtarëve titullarë, do t’u besojë futbollistëve të rinj.

“Në ndeshjen me Francën pashë disa gjëra të mira, sidomos në pjesën e dytë. Tani duhet të mendojmë për Luksemburgun. Është një ndeshje e vështirë, pasi kundërshtarët mendojnë se në grup mund të fitojë vetëm ndaj Shqipërisë. Po ashtu, jemi të kushtëzuar edhe nga mungesat. Gjithsesi besoj te lojtarët e rinj dhe do të kërkojmë tri pikët në këtë ndeshje”, ka thënë Kuze.

Ndeshja Luksemburg – Shqipëri do të zhvillohet të martën nga orën 20:15. Shqipëria ka zhvilluar 7 ndeshje në Grupin D, derisa ka tubuar vetëm tetë pikë, shtatë më shumë se Luksemburgu, që zë vendin e fundit.

Formacioni 4-3-3

Në këtë përballje, ekipit kuqezi do t’i mungojnë këta lojtarë: Lorik Cana, Armand Dallku, Andi Lila të shkualifikuar dhe Debatik Curri e Ervin Bulku të lënduar. Megjithëkëtë, Kuze ka vendosur që kundër Luksemburgut të luajë lojë ofanzive me formacionin 4-3-3.

Në portë do të jetë Samir Ujknai, në mbrojtje do të luajë Krisiti Vangjeli, Admir Teli, Endrit Vrapi e Ansi Agolli. Në mesfushë, Kuze i ka besuar Ervin Skelës,
Altinë Lalës e Klodian Durosë, derisa sulmi do të përbëhet nga Erion Bogdani, Hamdi Salihi e Edmond Kapllani.

Duka: Në Kombëtare duhet renovim

Për Kombëtaren shqiptare ka ardhur koha e rinovimit. Ky është opinioni i presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, i cili është shprehur se në fund të këtyre eliminatoreve duhet të afrohen lojtarë të rinj.

“Unë mendoj se ky grup duhet ta mbyllë fazën eliminatore dhe pasi të mbyllet kjo fazë, një pjesë e skuadrës duhet të largohet dhe të afrohet një pjesë e re, ndoshta 30-40% e skuadrës”, ka deklaruar Duka për mediat shqiptare.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›