ICO mbyll tre zyra në Kosovë

Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO), si mbikëqyrëse e pavarësisë së Kosovës edhe pse ende nuk jep datë se kur do ta përfundojë misionin e vet, tashmë ka nisur të mbyllë zyrat në disa komuna të Kosovës. Tre nga pesë zyrat, që ka gjithsej ICO në Kosovë, ajo e Pejës, Prizrenit dhe Gjilanit janë të parat që do të mbyllen, duke filluar nga muaji korrik.
Zyra në Prishtinë do të mbetet pa ndonjë afat të caktuar kohor, ndërsa e fundit do të mbyllet zyra në Mitrovicë, meqënëse nevojitet për të krijuar komunën e re atje. Kështu kanë bërë të ditur burime ndërkombëtare brenda ICO-së për Zërin.
Mbyllja e këtyre tre zyrave do të ndodhë në fillim të muajit të ardhshëm ndërsa arsyeja e mbylljes, vjen pasi komunat kanë bërë progres në respektimin apo zhvillimin e institucioneve në përgjithësi, duke respektuar ligjin dhe zbatuar atë.
ICO vazhdon të thotë se data përfundimtare kur do të përfundojë në tërësi mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës, nuk mund të përcaktohet. Po ashtu, ICO nuk e përcakton as kohën se kur mund të krijohet komuna e re në veri të Mitrovicës, por zëra nga Kuvendi i Kosovës tashmë janë shprehur se do t`i bëjnë presion këtij institucioni që të shkojë sa më parë atje.