ICO përshëndet marrëveshjen për zgjedhjet serbe në Kosovë

Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë (ICO) ka mbështetur marrëveshjen që qartëson mënyrën për Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), që të lehtësojë votimin për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë.
Në këtë kuadër, Kristofer Rouen, nga ICO tha se përshëndet përpjekjet e bëra nga qeveria e Kosovës “për t`iu ofruar shtetasve serbë banorë në Kosovë, mundësinë për të realizuar të drejtën e votës në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë” dhe ka shtuar se “ne shprehim mbështetjen tonë të plotë për OSBE-në në lehtësimin e procesit”.
Më tej, siç njofton ICO, zoti Rouen ka kërkuar “nga të gjitha palët të sigurojnë se procesi i votimit do të realizohet në atmosferë të sigurtë dhe të qetë” dhe ka theksuar se “angazhime të tilla janë shenjë e funksionimit normal të Kosovës si shtet sovran dhe është për të mirën e komunitetit serb në Kosovë”.
Zyrtari i lartë i Zyrës Ndërkombëtare Civile, Kristofer Rouen, ka shfaqur shpresën se “qeveria do të vazhdojë të forcoj raportin e saj me shtetasit serbë të Kosovës”.