E Martë, 3 Nëntor 2026

ILD dorëzon raportin në Kuvend, 1374 ankesa janë trajtuar gjatë vitit 2024

TIRANË, 4 prill /ATSH/ Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka depozituar në Kuvend raportin e veprimtarisë vjetore për vitin 2024.

Raporti përmbledh aktivitetin e ILD për periudhën Janar-Dhjetor 2024, duke analizuar shqyrtimin dhe verifikimin e ankesave, hetimet disiplinore, procedimet disiplinore, inspektimet tematike, performancën si institucion publik, si dhe bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.

Aktiviteti i ILD-së ka ndjekur një rrugëtim progresiv, duke kaluar nga ngritja dhe konsolidimi i proceseve në forcimin e inspektimeve, me qëllim rritjen e efiçencës së sistemit të drejtësisë.

Në këndvështrimin e ILD -së, inspektimet nuk shërbejnë vetëm për kontrollin e llogaridhënies së magjistratëve, por gjithashtu ndihmojnë në rritjen e performancës së sistemit gjyqësor dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve.

Në këtë kuadër, raporti evidenton të dhënat mbi numrin e ankesave të depozituara, vendimet e marra nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, si dhe ecurinë e inspektimeve tematike.

Gjatë vitit 2024 janë trajtuar 1374 ankesa; janë hetuar 25 magjistratë; janë ndërmarrë 11 procedime disiplinore; janë kryer 23 hetime disiplinore; janë përfunduar 6 inspektime tematike.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë në vitin e pestë të punës, edhe pse me burime njerëzore inspektuese të kufizuara, rendit disa arritje të rëndësishme me ndikim të drejtpërdrejtë në sistem.

Konkretisht, përmes mekanizmave të inspektimeve tematike, shqyrtimit të ankesave të qytetarëve, verifikimin me iniciativë, analizimit të informacioneve periodike të marra nga gjykatat, Inspektori i Lartë i Drejtësisë është aktiv në sistemin e kontrollit të punës së magjistratëve,  në përputhje me balancën që duhet të ekzistojë sipas parimit të ndarjes së pushteteve, duke përcaktuar standarde për një sistem drejtësie funksional llogaridhënës, të përgjegjshëm, të paanshëm dhe me integritet.

Gjatë vitit 2024 ka pasur rritje të numrit të hetimeve të ndërmarra me iniciativë të  Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Gjatë vitit 2024, me iniciativë ILD ka kryer edhe dy hetime, objekti i të cilave ka qenë papajtueshmëria dhe konflikti i interesit, të cilat janë bërë shkak edhe për kontrollin e pasurisë të këtyre dy subjekteve pranë organeve kompetente për pasurinë, tatimet, regjistrat e pasurive, regjistrat e lejeve dhe licencave dhe organeve të tjera, veprimtaria e së cilave lidhet me faktet dhe objektin e hetimit.

ILD gjithashtu ka përmirësuar procesin e hartimit të planit të inspektimeve, duke rritur eficencën e burimeve njerëzore dhe forcimin e bashkëpunimit me organet e sistemit të drejtësisë për tematika inspektimi.

Gjithashtu ka pasur një numër të rritur të inspektimeve me tematika të fokusuara për cilësinë dhe eficencën e sistemimit gjyqësor dhe numër i lartë i inspektimeve të përfunduara.

Një tjetër arritje është adresimi i problematikave të evidentuara në inspektimet tematike, përmes rekomandimeve dhe mekanizmit të monitorimit të ndjekjes së tyre.

Reagimi i organeve të inspektuara ka qenë i lartë duke siguruar ndjekjen e rekomandimeve të cilat janë nën përgjegjësinë e tyre dhe përcjelljen e informacioneve përkatëse.

Rekomandimet e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë kanë gjetur mbështetje nga organet e sistemit të drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Shkolla e Magjistraturës, të cilët kanë reaguar duke marrë masa të brendshme për të adresuar rekomandimet.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka vlerësuar profesionalizimin e magjistratëve, duke kryer verifikimin e pretendimeve të ankesave, në përfundim të të cilave ka arritur në konkluzionin se faktet e zbuluara, nuk justifikojnë fillimin e hetimit disiplinor ndaj magjistratëve, por që mund të jenë objekt i vlerësimin etik dhe profesional të tyre, andaj edhe i janë përcjellë këshillave për vlerësim.

Një tjetër arritje ka qenë rritja e bashkëpunimit me Këshillin e Lartë të Prokurorisë duke rritur numrin e takimeve të punës në veçanti për tematikat e inspektimit, por edhe adresimi i sfidave që lidhen me komunikimin institucional për forcimin e një sistemi drejtësie efikas dhe më të qëndrueshëm.

ILD ka përfunduar edhe vlerësimin etiko-profesional të inspektorëve jomagjistratë, duke i hapur rrugë vlerësimit etiko-profesional të inspektorëve magjistratë.

Gjithashtu ka pasur rritje të numrit të trajnimeve ndaj inspektorëve dhe ndihmës inspektoreve, përmes kurrikulave të Shkollës së Magjistraturës dhe bashkëpunimeve me aktorë ndërkombëtarë.

Vlerësimi i veprimtarisë së ILD-së, në funksion të llogaridhënies së magjistratëve, është evidentuar edhe nga Progres Raportin për Shqipërinë në vitin 2024, duke vënë theksin tek funksionimi i ILD-së dhe progresi i mirë i vazhdueshëm në zbatimin e reformave në drejtësi kanë forcuar përgjegjshmërinë në të gjithë sistemin e drejtësisë, kanë evidentuar kontributin e ILD-së në forcimin e llogaridhënies së magjistratëve, duke vënë theksin tek funksionimi i kënaqshëm i ILD-së dhe progresi i mirë i vazhdueshëm në zbatimin e reformave në drejtësi kanë forcuar përgjegjshmërinë në të gjithë sistemin e drejtësisë.

Gjithashtu, vlerësimet kanë nënvizuar përfundimin e shqyrtimit të fondit të ankesave të trashëguara (backlog) dhe nevojën për të vijuar me fuqizimin e inspektimeve tematike, si një prioritet kyç për rritjen e transparencës dhe efektivitetit të sistemit.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›