E Martë, 3 Nëntor 2026

Pranga 29-vjeçarit për “Pastrim parash”, i sekuestrohen 100 000 euro

TIRANË, 4 prill /ATSH/ Një 29-vjeçar është arrestuar pasi dyshohet se pastronte para me burime të dyshimta, duke i dhënë hua me përqindje, në biznesin e tij (këmbim valutor dhe argjendari), në Fushë-Krujë.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka finalizuar operacionin policor të koduar “Miniera”.

Operacioni është rezultat i një hetimi 5-mujor, me metoda proaktive, nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.

Në subjekt u gjetën dhe bizhuteri floriri, të dyshuara të kontrabanduara, me peshë 1400,41 gramë dhe me vlerë 187 000 euro.

Sekuestrohen 100 000 euro (para fizike) dhe bizhuteritë.

Policia ka proceduar penalisht, mbi dyshime për bashkëpunim në këto veprimtari edhe babain e 29-vjeçarit.

Policia e Tiranës njoftoi sot se si rezultat i një hetimi intensiv, të iniciuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale i DVP Tiranë dhe të ndjekur që prej muajit tetor 2024, me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, u finalizua operacioni “Miniera”.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 29 vjeç dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për babanë e tij, shtetasin A. M., 60 vjeç, të dy banues në Fushë-Krujë.

Nga hetimet dyshohet se 29-vjeçari, në bashkëpunim me 60-vjeçarin, nëpërmjet biznesit të tyre këmbimit valutor (exchange) dhe argjendari, në Fushë-Krujë, pastronte para me burime të dyshuara kriminale. Nga kontrolli, në ambientin e bizneseve u gjetën 100 000 euro cash që jepeshin hua kundrejt përfitimit (me përqindje). Gjithashtu, në këtë biznes shiteshin bizhuteri floriri, të dyshuara të kontrabanduara, pasi nuk ishin të pajisura me fatura blerjeje.

Vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit e tjerë që mund të jenë implikuar në këto veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›