E Shtunë, 31 Tetor 2026

ILDKP-Avokati i Popullit, marrëveshje bashkëpunimi për luftën kundër korrupsionit

TIRANE- Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) dhe Avokati i Popullit nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për luftën kundër korrupsionit.

Marrëveshja u firmos mesditen e sotme në një ceremoni të organizuar në mjediset e ILDKP, nga drejtuesit e dy institucioneve, Inspektori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe Avokati i Popullit, Igli Totozani.
Në qendër të marrëveshjes të nënshkruar sot, qëndron vullneti i mirë për të shkëmbyer informacion, si dhe për të zhvilluar hetime ndërinstitucionale ndaj zyrtarëve publikë, të cilët abuzojnë me detyrat shtetërore për përfitime personale.

Inspektori i Përgjithshëm, Llalla, tha se "Inspektoriati i Lartë dhe Avokati i Popullit administrojnë informacione të shumta për zyrtarë që dyshohet se janë përfshirë në veprime korruptive. Ndërkohë, marrëveshja e sotme synon pikërisht filtrimin e përbashkët të të dhënave dhe rezultate konkrete në ndëshkimin sipas ligjit të personave që shfrytëzojnë postin publik për të krijuar të ardhura personale".

Avokati i Popullit, Igli Totozani, duke përshëndetur marrëveshjen, tha se institucioni i Avokatit të Popullit ka detyrim kushtetues që të mbrojë të drejtat e qytetarëve nga veprimet e paligjshme të administratës publike.
Marrëveshja e bashkëpunimit përkon me ditët e fundit të deklarimit periodik të pasurisë së zyrtarëve dhe kreu i Inspektoriatit të Lartë, Adriatik Llalla, duke shfrytëzuar komunikimin me median, u rikujtoi të gjithë subjekteve se nuk do të tolerohet asnjë rast i shkeljes së afatit ligjor, që është 31 marsi.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›