E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti: Akuzat ndaj koncesioneve largojnë investitorët

TIRANË - Akuzat e ditëve të fundit të Partisë Socialiste për favorizim të kompanive në marrjen e koncesioneve në sektorin e energjetikës, fillimisht ndaj deputetes Albana Vokshi dhe së fundmi ndaj Ministres Majlinda Bregu, shihen me shqetësim nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, pasi mund të bëhen shkak për largimin e investitorëve.


Ministri Dritan Prifti parashtroi shqetësimet që janë shfaqur ditëve të fundit, sipas tij, nga kompanitë që kanë marrë koncesione për largim të investitorëve. "Koncesionarët janë të shqetësuar, sepse bankat janë duke u tërhequr nga mbështetja që i kanë ofruar atyre për koncesionet. Janë duke u tërhequr kompanitë investitore, që do të jepnin fondet për zbatimin e koncesioneve.


Nga këto sulme ndaj koncesioneve, ne rrezikojmë të kemi më pak investime në vend", - tha Prifti. Sipas tij, kunetër dhe të afërm të politikanëve, të të dyja kaheve politike, gjenden në pjesën më të madhe të koncesioneve të miratuara, por kjo nuk është një shkak për t'i sulmuar ato.


"Unë i kam të dhënat e të gjitha koncesioneve dhe po ju them që pothuajse në çdo koncesion janë gjashtë, shtatë apo dhjetë kompani dhe po të kërkosh ndër kompanitë do të gjesh edhe kunetër të PS, edhe kunetër të PD, edhe miq e shok të një krahu, edhe miq e shoh të një krahu tjetër", - shtoi Prifti.


Ministri nuk ka mohuar edhe të ketë pasur probleme gjatë viteve të shkuara në dhënien e koncesioneve. Sipas tij, në verifikimet që janë bërë për 2 muaj të verës 2009, auditi ka sugjeruar dërgimin për ndjekje penale për dy drejtorë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›