INCIDENTET/ Digjet posteri i Alfred Pezës, mbushet me grafiti pro PD-së xhamia shekullore
Fushata ka ndezur motorrët dhe incidentet e para kanë nisur që të shfaqen që tani.
Kandidati i Partisë Socialiste në Peqin, Alfred Peza, njofton se është djegur një poster i madh i tij në rrugën Rrogozhinë- Elbasan.
Me keqardhje ju njoftoj se mbrëmë duke zbardhur dita e sotme, është djegur posteri im elektoral në Peqin, në rrugën nacionale Rrogozhinë- Elbasan. Per këtë atentat ndaj meje, akuzoj drejtpërsëdrejti Kryeministrin Sali Berisha, i cili i hodhi benzinën këtij zjarri 4 ditë më parë, kur më sulmoi mua personalisht në mitingun e tij elektoral në Peqin. Deri në atë moment, fushata në Peqin mes kandidateve ka qenë shembullore, pa asnjë fyerje, sharje dhe incident, thotë Peza.
Ndërkohë kandidati i PS në Berat, Artan Lame, denoncon një tjetër incident të rëndë.
Mbi disa ndërtesa të Mangalemit dhe mbi Xhaminë shekullore të Beqarëve është shkruar me gërma të mëdha ngjyrë blu: Fitore Astrit Velia dhe Lefter Maliqi 100 %. Këta njerëz nuk kanë as kulturë qytetare dhe as kulturë demokratike. Nuk kanë kulturë qytetare sepse dëmtojnë trashëgiminë e vyer popullore të këtij qyteti dhe as demokratike sepse 100 % fitohet vetëm në diktaturë, thotë Lame./ep