INDONEZI – 20 000 trupa për një mision të mundshëm në Gaza

XHAKARTA, 14 nëntor /ATSH-DPA/ – Presidenti i Indonezisë, Prabowo Subianto ka urdhëruar forcat e armatosura të vendit të kenë 20 000 ushtarë të gatshëm për një mision të mundshëm të OKB-së për ruajtjen e paqes në Rripin e Gazës, tha sot ministri i Mbrojtjes, Sjafrie Sjamsoeddin.
Sjamsoeddin tha se forca do të përfshijë personel me ekspertizë mjekësore dhe inxhinierike për të mbështetur operacione humanitare në shkallë të gjerë, sipas raportimit të agjencisë së lajmeve indoneziane, Antara.
Kontingjenti po përgatitet për të trajtuar viktimat e luftës, për të rikthyer shërbimet thelbësore dhe për të ndihmuar në rindërtimin e infrastrukturës kyçe që është e nevojshme për jetën e përditshme në enklavë.
Pjesëmarrja e Indonezisë do të përqendrohet në mbrojtjen e popullsisë civile dhe mbështetjen e përpjekjeve ndërkombëtare për sigurimin e një paqeje të qëndrueshme.
Ai shtoi se nuk është vendosur ende një afat kohor për misionin, dhe se presidenti Prabowo do të marrë vendimin përfundimtar sa herë që OKB-ja të specifikojë kërkesat e saj.
Presidenti kishte thënë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator se Indonezia ishte e gatshme të dërgonte paqeruajtës në Gaza dhe në zona të tjera të konfliktit.
Nuk ka forca paqeruajtëse të OKB-së në Rripin e Gazës.
Shtetet e G7-s janë në favor të sigurimit të shpejtë të planit të paqes në Lindjen e Mesme për Rripin e Gazës përmes një mandati të Këshillit të Sigurimit të OKB-së./ /Ad.Ab./