E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

INDONEZI – Erdogan: Krijimi i një shteti palestinez me integritet territorial nuk mund të vonohet më

XHAKARTË, 12 shkurt /ATSH-AA/ – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan deklaroi se krijimi i një shteti palestinez me integritet territorial nuk mund të vonohet më.

Erdogan, në kuadër të vizitës së tij në Indonezi, mbajti një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij, Prabowo Subianto.

“Krijimi i një shteti sovran palestinez me integritet territorial bazuar në kufijtë e vitit 1967 me Jerusalemin Lindor si kryeqytet nuk mund të vonohet më”, tha ai.

“Shtetet tjera në rajon nuk mund të gjejnë stabilitet derisa Gaza dhe palestinezët të gjejnë paqe”, shtoi presidenti turk.

Ai gjithashtu vlerësoi qëndrimin e Indonezisë për çështjen palestineze.

“Do të vazhdojmë të punojmë me Indonezinë për rindërtimin e Gazës”, tha Erdogan.

Presidenti Erdogan gjithashtu foli edhe për dëmin që Izraeli ka shkaktuar në sulmin e tij ndaj Palestinës.

“Dëmi total i shkaktuar nga sulmet 15-mujore të Izraelit po i afrohet 100 miliardë dollarëve”, u shpreh ai.

Më 15 janar, Katari, një nga vendet ndërmjetësuese, njoftoi se Izraeli dhe Hamasi arritën marrëveshje për një armëpushim dhe shkëmbim të pengjeve në Gaza.

Marrëveshja hyri në fuqi më 19 janar.

Në 42 ditët e para të marrëveshjes së armëpushimit, që përbëhet nga tre faza, do të lirohen 33 pengje izraelite dhe mbi 1 900 të burgosur palestinezë./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›